Ukrainasit përballë perspektivës së një lufte të zgjatur

17:18 | 21 Shkurt 2024
D.H

Ndërsa agresioni rus ndaj vendit të tyre hyn në vitin e tretë, ukrainasit thonë se me luftimet intensive në frontin lindor dhe sulmet e përditshme në të gjithë vendin, ata kanë nevojë të madhe për mbështetje ushtarake dhe financiare globale. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Myroslava Gongadze, Kongresi ende nuk po miraton ndihmat shumë të nevojshme për ukrainasit.

Disa ditë përpara përvjetorit të dytë të agresonit të Rusisë, Ukraina vendosi të tërhiqej nga Avdiivka, një qytet në rajonin e Donetskut.

Shtëpia e Bardhë fajësoi për këtë Kongresin i cili nuk e ka miratuar ende ndihmën shtesë, duke thënë se “ukrainasit vazhdojnë të luftojnë me guxim, por furnizimet po mbarojnë”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy foli në Konferencën e Sigurisë në Mynih në ditën kur ushtria u tërhoq nga Avdiivka.

“Mos pyesni Ukrainën se kur do të përfundojë lufta. Pyesni veten, pse Putini është ende në gjendje ta vazhdojë atë?”, tha zoti Zelenskyy.

Ukrainasit në Kiev e kanë përjetuar rëndë dhe po përgatiten për perspektivën e një lufte që do të zgjasë.

Redaktorja e medias ‘The Kyiv Independent’, Olga Rudenko ishte në tryezën e saj të punës kur filloi agresioni rus në shkurt të vitit 2022, ndërsa faqja e saj në internet kishte filluar punë para disa muajsh.

“Antony Blinken tha se pushtimi i Ukrainës do të fillojë para agimit. Ky ishte momenti kur papritur kjo u bë shumë e vërtetë”, thotë zonja Rudenko.

Kur presidenti rus Vladimir Putin përfundoi fjalimin e tij në prag të agresionit, ajo ishte gati.

“Ne përgatitëm një lajm, duke thënë se Putini shpalli luftë kundër Ukrainës dhe kur ai ndaloi së foluri, ne e publikuam atë. Në atë moment dëgjuam shpërthime”, thotë zonja Rudenko.

Pas dy vitesh mbulim të vazhdueshëm të luftës, “The Kyiv Independent” u bë botimi kryesor në gjuhën angleze që raportonte zhvillimet në terren në Ukrainë. Qëllimi i tij është të ndihmojë botën të kuptojë se për çfarë po luftojnë ukrainasit.

“Është shumë zhgënjyese të jesh këtu në Ukrainë dhe të shikosh të gjitha lajmet që dalin për Kongresin që nuk është në gjendje të votojë për ndihmën për Ukrainën, sepse, për ta, ndoshta është thjesht një numër. Por për ne, ka të bëjë me jetën dhe njerëzit tanë”, thotë më tej zonja Rudenko.

Volodymyr Omelyan, major në Forcat e Armatosura të Ukrainës, dikur shërbeu si ministër i infrastrukturës. Duke qëndruar në sheshin qendror të Kievit, ai reflektoi mbi gjendjen emocionale të Ukrainës.

“Ne bëhemi shumë më të fortë nga armët, nga njerëzit. Padyshim, kjo nuk është diçka e këndshme. Nuk është se lufta do të përfundojë brenda dy ose tre javësh ose shumë shpejt. Do të duhet pak kohë, për fat të keq, por morali është ende shumë i lartë. Nëse nuk ka vullnet, nuk ka fitore, dhe në rastin tonë vullneti është i fortë”, thotë majori Omelyan.

Në Kiev, njerëzit shpresojnë se lufta do të përfundojë.

“Dua të shoh nënën dhe babanë tim, ata janë jashtë vendit. Unë jam këtu sepse nuk mund të shkoj tek ata”, thotë Daniil, banor i Vinnytsit

“Ne jemi të frikësuar çdo ditë, çdo natë. Ne duam paqe në vendin tonë. Ne duam të ndalojmë Putinin dhe të kthejmë territorin tonë”, thotë Oleksyi.

“Kjo do të jetë një luftë e gjatë. Ndihem shumë keq, Ukraina nuk do të mund të fitojë me këtë armik të madh pa bashkësinë ndërkombëtare”, tha Kateryna.

Ukrainasit që folën me Zërin e Amerikës thanë se nëse thirren për t’iu bashkuar ushtrisë, ata do ta bëjnë këtë dhe do të mbrojnë vendin e tyre. Ata thanë gjithashtu se shpresojnë që bota të kuptojë se ata po luftojnë për vlerat e përbashkëta demokratike dhe se kanë nevojë për ndihmë./voa

Të ngjashme