Ukrainasit e krahasojnë sulmin e Rusisë ndaj Kievit me atë të Luftës së Dytë Botërore

10:27 | 25 Shkurt 2022
Trina Galanxhi

Sulmi i Rusisë në kryeqytetin ukrainas të Kievit ka shkaktuar krahasime me sulmin e Gjermanisë naziste ndaj qytetit në vitin 1941.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, e ka përmendur Luftën e Dytë Botërore, ndërsa i është drejtuar popullit rus me një fjalim në orët e para të mëngjesit, transmeton portal arbresh.info

Ndërsa Presidenti ukrainas mbante fjalim, janë raportuar për shumë shpërthime në Kiev.

“Sonte filluat të bombardoni zonat e banuara në qytetin hero të Kievit. Kjo është si viti 1941. Dua t’u them të gjithë qytetarëve rusë që po dalin për të protestuar: ne ju dëgjojmë, na dëgjuat, filluat të na besoni. Luftoni për ne,luftoni luftën,” tha Zelensky.

Kryediplomati i Ukrainës bëri gjithashtu krahasimin duke dënuar “sulmet e tmerrshme me raketa ruse në Kiev” që synuan kryeqytetin herët në mëngjes të së premtes, një ditë pasi Rusia nisi një pushtim në shkallë të gjerë të Ukrainës.

“Hera e fundit që kryeqyteti ynë përjetoi diçka të tillë ishte në vitin 1941 kur u sulmua nga Gjermania naziste”, tha Dmytro Kuleba, ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, në një postim në Twitter.

“Ukraina e mundi atë të keqe dhe do ta mposhtë këtë të keqe. Ndaloni Putinin. Izoloni Rusinë.”

Ndikimi i shpërthimeve të mëngjesit të së premtes, duke përfshirë numrin e predhave të lëshuara ose viktimat e pësuar, nuk është bërë ende i qartë.

Të enjten në mëngjes, presidenti rus Vladimir Putin njoftoi një “operacion special ushtarak” në Ukrainë dhe filloi dërgimin e trupave në vend nga disa drejtime, përveç fillimit të sulmeve ajrore dhe granatimeve.

Një këshilltar i Zelensky gjithashtu i krahasoi sulmet e Rusisë me pushtimin e Bashkimit Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore, kur trupat gjermane mundën Ushtrinë e Kuqe dhe fituan betejën e parë të Kievit në 1941.

“Kryeqyteti ynë u bombardua në një kohë të tillë dhe në një mënyrë të tillë dy herë në histori,” tha Mykhailo Podoliak, sipas The Kyiv Independent. “Ashtu si në vitin 1941, tani sulmuesi mund të marrë vetëm urrejtjen e njerëzve dhe asgjë më shumë”.

Një gazetare ukrainas shkroi gjithashtu për frazën “4 të mëngjesit. Kiev është bombarduar” në një shkrim për The Guardian të enjten.

“Çdo fëmijë ukrainas dhe rus e di këtë. Kështu dukej njoftimi për bombardimin gjerman të Kievit në 1941,” shkroi Nataliya Gumenyuk. “Dhe ja ku jemi: 24 shkurt, ora 5 e mëngjesit, Kievi bombardohet nga Rusia.”/arbresh.info/

Të ngjashme