Ato kanë çliruar 2 kilometra katrorë territor, përgjatë javës së fundit, rreth qytetit të copëtuar nga lufta të Bakhmut.
Të dhënat e fundit, vijnë pasi ushtria e Kievit çliroi në fundjavë, fillimisht Andrivkën dhe pastaj Klishcivkën, dy fshatra në krahun jugor të vendit.
“Sot, dua të përgëzoj ushtarët që hap pas hapi po u kthejnë Ukrainës atë që i përket, si zonën e Bakhmut. Brigadës së 80 të sulmeve ajrore, asaj të 5-të dhe 95, ju lumtë për çlirimin e Klishçivkës!”, tha Volodymyr Zelensky, Presidenti Ukrainës.
Sipas autoriteteve që prej nisjes së kundërofensivës, 3 muaj më parë, forcat e Kievit kanë rimarrë 51 kilometra katrorë rreth Bahmutit.
Megjithatë, luftime të ashpra raportohen përreth fshatrave të çliruara rishtazi, të cilat nëse bien plotësisht në duart e ukrainaseve, do t’i lejojnë ato të sulmojnë Bakhmutin nga veriu dhe perëndimi.
Në një deklaratë të dielën, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se kundërofensiva ukrainase po avancon gradualisht, por ai paralajmëroi se lufta do të jetë e gjatë.
“Ne duhet të përgatitemi për një luftë të gjatë. Ne të gjithë dëshirojmë një paqe të shpejtë, por në të njëjtën kohë, nëse presidenti Zelensky dhe ukrainasit e ndalin betejën, vendi i tyre nuk do të ekzistojë më”, tha Jens Stoltenberg.
Shpërthime të fuqishme u regjistruan në qytetin e Sevastopolit në Krimenë e pushtuar nga rusët, në atë që sipas burimeve ishte një operacion special i inteligjencës dhe forcave të marinës ukrainase.
Rusia sakaq ndërmori një sulm ajror kundër Kherson gjatë natës, duke shkaktuar 2 viktima./A2/