Ukraina thotë se zmbrapsi përpjekjen e Rusisë për përparim në Harkiv

16:15 | 10 Maj 2024
E.K

Trupat ruse kanë tentuar të hapin një front të ri duke thyer vijat ukrainase të frontit në rajonin e Harkivit, një veprim që Kievi tha se e ka zmbrapsur, pavarësisht se luftimet po vazhdojnë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë një konference për media tha se sulmi rus mëngjesin e 10 majit dështoi që të zinte në befasi trupat ukrainase.

“Ukraina i priti me trupa: brigada dhe artileri”, tha Zelenksy, duke paralajmëruar se Moska mund të dërgojë më shumë trupa për të mbështetur përpjekjet e saj për të bërë përparim.

Sipas burimeve, Rusia po synon që të krijojë një “zonë neutrale” për të parandaluar forcat ukrainase që të granatojnë territorin rus.

Rajoni verilindor ukrainas i Harkivit gjendet në kufi me Rusinë, dhe në periferi gjendet dhe kryeqyteti rajonal me po të njëjtin emër. Ky qytet ndodhet 25 kilometra nga vijat e frontit.

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës raportoi se trupat ruse kanë sulmuar për orë të tëra, pasi paraprakisht kishin kryer sulme me artileri.

“Pasi ra terri, pushtuesit rusë intensifikuan presionin ndaj vijave tona të frontit. Rreth orës 05:00, armiku tentoi të thyente vijat tona të mbrojtjes”, tha Ministria.

Njësitë e rezervistëve janë dislokuar për të forcuar vijat e mbrojtjes dhe forcat ukrainase po vazhdojnë t’i bëjnë ballë ofensivës së armikut, tha Ministria, duke shtuar se luftimet ende po vazhdojnë.

Më herët, Oleh Synyehubov, guvernator i rajonit të Harkivit raportoi se qytet Vovçansk, që gjendet 70 kilometra në verilindje të Harkivit dhe vetëm 4 kilometra nga kufiri rus, ishte nën sulm nga granatimet ruse.

Me një popullsi prej 1.4 milion banorësh – sipas të dhënave të popullsisë para se të niste lufta – Harkivi është qyteti i dytë më i madh i Ukrainës dhe një prej qyteteve në të rëndësishme ekonomike dhe industriale. Ai ishte ndër qytetet e para që u përball me sulmet ruse, pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Kundërofensiva e suksesshme ukrainase në shtatorin e vitit 2022 çoi në çlirimin e pothuajse të gjithë rajonit të Harkivit.

Por, muajve të fundit, Rusia ka intensifikuar sulmet me dronë dhe raketa në këtë rajon dhe kryeqytetin e tij, përderisa forcat ukrainase po përballen me mungesë të municioneve dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme