Google ADS

Ukraina thotë se Rusia ka lëshuar një raketë balistike ndërkontinentale në një sulm

10:44 | 21 Nëntor 2024
E.K

Ukraina thotë se Rusia lëshoi një raketë balistike ndërkontinentale gjatë natës, duke shënjestruar qytetin Dnipro në pjesën qendrore-lindore të vendit. Kjo është hera e parë që Moska përdor një raketë të tillë gjatë luftës.

Nuk është e qartë saktësisht se çfarë lloj rakete u lëshua, por Forca Ajrore e Ukrainës tha në një deklaratë në Telegram të enjten se ajo u lëshua nga rajoni i Astrahanit në Rusi.

Sipas Forcës Ajrore të Ukrainës, mëngjesin e 21 nëntorit, trupat ruse sulmuan Dnipron me lloje të ndryshme raketash, duke përfshirë edhe lëshimin e një rakete balistike ndërkontinentale.

Raketat balistike ndërkontinentale (ICBM) janë armë strategjike të dizajnuara për të shpërndarë koka bërthamore dhe janë një pjesë e rëndësishme e mbrojtjes bërthamore të Rusisë.

Ukrainasit nuk specifikuan se çfarë lloj koke kishte raketa apo çfarë tipi rakete ishte. Nuk ka asnjë sugjerim nëse ajo ishte e pajisur me armë bërthamore.

Ky zhvillim ndodh ndërsa lufta ka marrë një dimension gjithnjë e më ndërkombëtar me mbërritjen e trupave të Koresë së Veriut për të ndihmuar Rusinë në fushën e betejës.

Sipas autoriteteve lokale, një ndërmarrje industriale u dëmtua në Dnipro për shkak të goditjes, dhe dy zjarre shpërthyen gjithashtu në qytet.

Kryetari i Bashkisë së Dnipros, Borys Filatov, shtoi se ndërtesa e Qendrës për rehabilitimin e personave me aftësi të kufizuara u dëmtua nga bombardimet.

Rusia, e cila pushtoi Ukrainën në shkurt të vitit 2022, nuk komentoi
menjëherë mbi deklaratën e Forcave Ajrore.

Një ditë më parë, Ambasada e SHBA-së në Ukrainë raportoi se kishte marrë “informacione specifike” për një sulm të mundshëm të rëndësishëm ajror rus më 20 nëntor. Si masë paraprake, ambasada u mbyll. Më pas, misionet diplomatike të Spanjës, Italisë dhe Greqisë njoftuan gjithashtu mbylljen për vizitorët më 20 nëntor./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme