Ukraina thotë se ka fituar më shumë kontroll në territoret lindore e jugore

09:54 | 11 Shtator 2023
E.H

Ukraina ka raportuar të hënën se trupat e saj ushtarake e kanë rikthyer kontrollin e territoreve në frontet lindore dhe jugore në kuadër të kundërofensivës kundër forcave ruse.

Zëvendësministrja ukrainase e Mbrojtjes, Hanna Maliar, ka thënë se forcat e Kievit kanë rimarrë rreth dy kilometra katrorë të territorit javën e kaluar rreth qytetit të shkatërruar lindor, Bahmutit, i cili kontrollohet nga ushtria ruse prej majit, pas shumë muajsh luftime.

Maliar i ka thënë televizionit ukrainas se forcat ukrainase tani e zotërojnë një pjesë të fshatit Optine në jug të qytetit Avdivka dhe kanë shënuar “sukses të pjesshëm” afër fshatit Novomaiorske në rajonin lindor Donjeck.

“Ka pasur lëvizje afër Optines, forcat ukrainase të mbrojtjes e kanë kapur një pjesë të vendbanimit”, ka thënë Maliar.

Sipas Maliarit, trupat ushtarake të Kievit i kanë çliruar 49 kilometra katrorë afër Bahmutit prej nisjes së kundërofensivës tremujore.

Gjenerali i ushtrisë amerikane, Mark Milley, ka thënë se Ukrainës i kanë mbetur më pak se 30 ditë për të luftuar para se moti ta pengojë kundërofensivën.

Sipas tij, kushtet e liga të motit do t’i vështirësojnë manovrat e Ukrainës.

Ai e ka pranuar se ofensiva po zhvillohet më ngadalë sesa është pritur, mirëpo ka thënë se luftimet e ashpra janë duke vazhduar.

Sipas gjeneralit Milley ende është shumë herët për të thënë se kundërofensiva ka dështuar, mirëpo ka thënë se Ukraina është duke “përparuar me ritëm të qëndrueshëm në linjat e frontit”.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme