Ushtria e Ukrainës tha të hënën se ka goditur një depo nafte gjatë natës në rajonin Kaluga në perëndim të Rusisë, si dhe “një numër të objektivave të rëndësishme” në dy rajone të tjera ruse, pasi Rusia e bombardoi qendrën e qytetit të Harkivit në Ukrainë.
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha në një komunikatë në rrjetet sociale se sulmet e mëngjesit të hershëm u përqendruan në Briansk, Kaluga dhe Kursk.
“Nuk ka konfirmim për ndikim të suksesshëm në bazën e naftës në rajonin Kaluga”, tha ai.
Vladislav Shapsha, guvernatori i Kalugas, tha në Telegram se tetë dronë ukrainas u rrëzuan në këtë rajon, ndërsa copëzat e njërit prej dronëve të rrëzuar shkaktuan zjarr në një zonë industriale. Zjarri u shua dhe nuk u raportua për viktima, tha Shapsha.
Raportime të pakonfirmuara nga kanalet në Telegram, Ostorozhno, novosti dhe Baza, pretendojnë se zjarri përfshiu një cisternë në një depo nafte dhe fabrikën për prodhimin e instrumenteve, Typhoon, në Kaluga. Video që shfaqin zjarrin në rafineri janë publikuar online, megjithëse mungon verifikimi zyrtar i tyre.
Sulmi ndodhi derisa kryetari i qytetit të dytë më të madh të Ukrainës, Harkiv, tha se të paktën 15 persona u plagosën në një sulm që kishte në shënjestër zonat e banuara.
Harkivi është përballur me sulme të pareshtura në javët e fundit, të cilat kanë shkaktuar viktima të shumta dhe dëme në infrastrukturën civile dhe energjetike.
Në rajonin jugor të Mikolaivit në Ukrainë, guvernatori rajonal Vitaliy Kim raportoi se sulmet ruse goditën infrastrukturën energjetike gjatë natës. Inxhinierët ia arritën ta rikthejnë energjinë elektrike në shumicën e zonave të prekura dhe nuk u raportuan viktima.
Ndërkohë, në rajonin juglindor të Zaporizhjas, forcat ruse sulmuan objektet industriale duke përdorur “dhjetëra dronë”, sipas guvernatorit rajonal Ivan Fedorov. Në këto sulme raportohet se u plago një fëmijë.
Burime nga Drejtoria Kryesore e Inteligjencës së Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës (HUR) i thanë Ukrayinska pravdas se sulmi ndaj depos së naftës në Kaluga ishte planifikuar nga shërbimet speciale ukrainase. Depoja e shënjestruar raportohet se është e lidhur me operacionet ushtarake të Rusisë kundër Ukrainës.
Ministria e Mbrojtjes së Rusisë raportoi se gjatë natës së 25 nëntorit, sistemet e mbrojtjes ajrore zbuluan dhe shkatërruan 23 dronë ukrainas në disa rajone.
Këto sulme theksojnë rritjen e vazhdueshme të përpjekjeve të Ukrainës për ta ndalur pushtimin e vazhdueshëm nga Rusia, që Moska e nisi në shkurt të vitit 2022./rel
20 vjet nga cunami që solli vdekjen e 230 mijë personave, fa...
“Mos gënje”, “mashtruese”, plas debati mes Xhenetës dhe Sarë...
Guardiola tregon se ku dështoi City ndaj Evertonit
Çmimet 2 herë më shtrenjtë se në 2013, Berisha: Shqipëria e ...
Kurti mori pjesë në ceremoninë e fundvitit të organizuar nga...
Juventus po planifikon ta transferojë yllin e Dortmundit