Ukraina ka paralajmëruar se do ta bojkotojë takimin e Këshillit të Ministrave të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), në Shkup të Maqedonisë së Veriut, pas ftesës për ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili tha se planifikon të marrë pjesë në të.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, “do të bojkotojë takimin ministror të OSBE-së pas vendimit për të lejuar pjesëmarrjen e Lavrovit”, tha për AFP-në zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko.
Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë i dha leje avionit të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, për të fluturuar mbi Bullgari, raportoi Shërbimi bullgar i Radios Evropa e Lirë.
Sipas tij, vendimi u mor pas kërkesës së Maqedonisë së Veriut – vendit që aktualisht ushtron detyrën e kryesuesit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Leja është e përkohshme dhe e vlefshme vetëm për këtë fluturim.
Sipas njoftimit, autorizimi për Lavrovin bie nën përjashtimin e regjimit të sanksioneve të BE-së kundër tij dhe “nuk vlen për anëtarët e delegacionit të tij, të cilët janë gjithashtu të sanksionuar me ligjin aktual të BE-së”.
Më herët, Komisioni Evropian tha se Lavrov mund të udhëtojë në BE dhe në Maqedoninë e Veriut, pavarësisht se është i sanksionuar.
Këshilli i Ministrave të OSBE-së pritet të mbahet nga 29 nëntori deri më 1 dhjetor, 2023.
Mbi 70 delegacione të vendeve anëtare dhe partnere të OSBE-së pritet të arrijnë në Shkup për takimin e kësaj jave.
Rusia është një nga 57 vendet anëtare të OSBE-së.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov duke shkuar te ulëset e tyre përkatëse para një takimi në Gjenevë, 21 janar 2022, rreth një muaj para se Rusia ta niste pushtimin e plotë të Ukrainës
Prej se shteti rus ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022, shumica e vendeve në Evropë – përfshirë Bullgarinë – kanë mbyllur hapësirën ajrore për avionët rusë, duke shprehur solidaritet me Ukrainën.
Në qershor të vitit të kaluar, vizita e Lavrovit në Serbi u anulua, sepse vendet e saj fqinje – Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi – ndaluan fluturimin e avionit të tij në hapësirën e tyre ajrore.
Një skiator humb jetën nga një ortek në Wyoming të SHBA-së
Çudi nga Portugalia, vijat e bardha të fushës u vizatuan me ...
Gjykata Speciale edhe këtë javë në pushim, seancat fillojnë ...
10 këshilla që ju duhen në jetë
Si të përdorni teknologjinë për të përmirësuar shëndetin?
“Ti ke dashtë me m’puthë!”- Tensionohet situata mes Drilonit...