Google ADS

Ukraina thotë se 18 civilë u vranë nga sulmet ruse gjatë natës

22:20 | 3 Maj 2023
Orgesa Haziri

Zyrtarët ukrainas thanë se 18 civilë u vrarë nga sulmet me dronë të forcave ruse në disa qytete të Ukrainës gjatë natës, që goditën kryeqytetin Kiev dhe rajonin e Hersonit.

“Deri tani, ne kemi informata për 18 të vdekur dhe 46 të plagosur”, tha Andriy Yermak, kreu i zyrës presidenciale të Ukrainës, në Telegram. “Sulmet ruse në Herson po vazhdojnë”, shtoi ai.

Civilët mbetën të vrarë nga sulmet me dronë në një supermarket dhe një stacion treni në Herson, ndërsa në pjesën jugore të Ukrainës u goditën disa objekte.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës kishte thënë më herët më 3 maj se 12 persona u vranë në Herson, kryeqytetin rajonal, i cili javëve të fundit është bombarduar vazhdimisht nga forcat ruse të pozicionuara përtej lumit Dnjepër.

Në deklaratën e publikuar nga kjo zyrë thuhej se vdekjet dhe dëmet e tjera ishin shkaktuar nga “bombardimet kaotike të infrastrukturës civile në qendrën rajonale”.

Sulmet morën jetën edhe të tre punonjësve të një kompanie energjetike, të cilët ranë në granatimet ruse teksa punonin pranë dy fshatrave. Sipas autoriteteve ukrainase, ata po punonin në riparimin e rrjeteve energjetike, pas sulmeve të rregullta nga ushtria ruse.

Një tjetër fatalitet ndodhi në mëngjes në fshatin Darivsk, ku një burrë vdiq nga granatimet, tha Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm. Ndërsa, për viktimat e tjera nuk u dhanë detaje.

Komanda e Forcave Ajrore të Ukrainës tha se i kishte shkatërruar 21 nga 26 të prodhuar nga Irani që ishin përdorur për këtë sulm. Dronët ishin nisur nga rajoni rus Bryansk dhe nga bregu lindor i Detit Azov, sipas Komandës ukrainase të Forcave Ajrore.

Administrata ushtarake e kryeqytetit tha se të gjithë dronët që kishin cak Kievin u rrëzuan, pa e specifikuar numrin e tyre. Ky sulm ishte vala e tretë e sulmeve ajrore ruse në Kiev në gjashtë ditët e fundit./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme