Ukraina po shqyrton mundësinë t’i ruajë një pjesë të avionëve luftarakë F-16, që pritet t’i marrë nga aleatët e saj perëndimorë, në baza të huaja, për t’i mbrojtur nga sulmet ruse, deklaroi një zyrtar i lartë ukrainas të hënën.
Belgjika, Danimarka, Holanda dhe Norvegjia janë zotuar se do t’i japin Ukrainës mbi 60 aeroplanë luftarakë amerikanë F-16 për t’i ndihmuar në mbrojtjen nga sulmet ruse. Pilotët ukrainas po kryejnë trajnime për pilotë para se Ukraina t’i marrë aeroplanët më vonë gjatë këtij viti.
Kreu i aviacionit të forcave ajrore të Ukrainës Serhii Holubtsov i tha Radio Evropës së Lirë se “një numër i caktuar i aeroplanëve luftarakë do të ruhen në baza të sigurta ajrore jashtë Ukrainës në mënyrë që të mos vihen në shënjestër këtu.”
Sipas tij, aeroplanët F-16 ka mundësi të zëvendësojnë aeroplanët e dëmtuar luftarakë ndërkohë që riparohen si dhe për trajnimin e pilotëve ukrainase jashtë vendit.
“Në këtë mënyrë gjithmonë do të kemi një numër të caktuar aeroplanësh luftarakë në flotën tonë operacionale që i përgjigjet numrit të pilotëve tanë,” tha ai. “Po të kishim më shumë pilotë, do të mbanim më shumë aeroplanë luftarakë në Ukrainë.”
Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar se Moska mund të konsiderojë goditjen e bazave në shtetet e NATO-s që mund të ruajnë aeroplanët ushtarakë që përdoren në Ukrainë.
“Nëse ato vendosen në bazat ajrore jashtë kufijve të Ukrainës dhe përdoren në luftime, atëherë na duhet të shqyrtojmë se si dhe ku t’i sulmojmë pajisjet që përdoren kundër nesh,” deklaroi zoti Putin vitin e kaluar. “Përbën një rrezik serioz për përfshirjen e mëtejshëm të NATO-s në konflikt.”
Në mars, udhëheqësi rus sërish paralajmëroi aleatët perëndimorë të Ukrainës që të mos i vënë në dispozicion bazat ajrore prej nga aeroplanët F-16 mund të niseshin për të goditur forcat ruse. Ato baza mund të bëhet “objektiv legjitim”, tha ai.
“Aeroplanët F-16 kanë aftësinë që të bartin armë bërthamore dhe do ta kemi këtë parasysh kur organizojmë operacionet tona luftarake”, deklaroi zoti Putin.
Shefi i komisionit të mbrojtjes së Dhomës së Ulët të parlamentit rus Andrei Kartapolov i tha agjencisë së lajmeve Ria Novosti të hënën që bazat e NATO-s që do të mbajnë avionët F-16 të Ukrainës do të jenë “objektiva legjitime” të Moskës nëse ata avionë përdoren për të sulmuar Rusinë.
Për ruajtjen e avionëve F-16 nga sulmet, nevojiten pista të standardit të lartë dhe streha të përforcuara. Nuk është e qartë se sa baza ajrore në Ukrainë përmbushin ato standarde dhe sigurisht se ato shpejt do të sulmohen nga Rusia.
Sipas zotit Holubtsov, avionët F-16 do të ndihmojnë mbrojtjen e vijës dhe rajoneve kufitare nga bombat e komanduara ruse të cilat po u shkaktojnë dëme trupave dhe banorëve të atyre zonave, përfshirë në qytetin e Kharkivit. Këto janë bomba të periudhës sovjetike, të pajisura me sisteme komanduese dhe që lëshohen nga aeroplanë që fluturojnë mbi rrezet e sistemeve mbrojtëse ajrore.
Haxhiu: Prokuroria Speciale t’i përgjigjet kërkesës së Kurti...
AUV në pritje të analizave për mandarinat e importuara nga S...
Haxhiu: Serbia s’i dorëzon kriminelët e luftës, ne do t’i gj...
Vitia nënshkruan listën finale që i hap udhë jetësimit të Li...
Pritjet deri në 40 minuta për të hyrë në Kosovë
Ambasada amerikane nderon Hovenierin për marrëdhëniet ShBA-K...