Ukraina rrëzon 8 dronë rusë, Moska akuzon Kievin për sulm ndaj civilëve

18:19 | 22 Janar 2024
D.H

Ushtria ukrainase njoftoi të hënën se zmbrapsi sulme ruse në disa pjesë të vendit gjatë natës, ndërsa zyrtarët rusë akuzuan forcat ukrainase se bënë një sulm të rëndë ndaj një qyteti të kontrolluar nga rusët në Ukrainën lindore.

Sistemet ukrainase të mbrojtjes ajrore rrëzuan tetë dronë të lëshuar nga Rusia, në rajonet Mykolaiv, Kherson dhe Dnipropetrovsk.

Në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Ukraina sulmoi pa dallim infrastrukturën civile me bombardimet e së shtunës në qytetin Donetsk, ku u vranë të paktën 27 persona.

Peskov tha gjithashtu të hënën se Rusia po merr masat e duhura pas një sulmi të dyshuar ukrainas ndaj një terminali për furnizimin me karburant në Detin e Zi.

Në një deklaratë të OKB-së thuhet se sekretari i përgjithshëm i saj dënon të gjitha sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile, përfshirë bombardimin e qytetit Donetsk në Ukrainë.

“Sulmet ndaj civilëve dhe instrastrukturës civile janë të ndaluara sipas ligjit ndërkombëtar, janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë”, thuhet në deklaratën e OKB-së.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy nuk foli për sulmin gjatë fjalimit të tij të mbrëmjes, por tha se në një ditë të vetme, Rusia bombardoi mbi 100 qytete dhe fshatra në nëntë rajone të Ukrainës dhe se sulmet në rajonin Donetsk kishin qenë “më brutalet”.

Zelensky gjithashtu shtoi se Rusia do të mbajë përgjegjësi për të gjithë këtë terror. “Nëse Moska nuk do të kishte marrë vendimin për të filluar këtë agresion dhe këtë terror, mijëra dhe mijëra njerëz do të ishin gjallë sot”, tha presidenti ukrainas.

Kompania e dytë më e madhe ruse e prodhimit të gazit natyror, Novatek, njoftoi të dielën se u detyrua të ndërpresë disa operacione në terminalin e madh të eksporteve në Detin Balltik, për shkak të një zjarri, që mediat ukrainase thanë se ishte shkaktuar nga një sulm me dron.

Kompleksi gjigant Ust-Luga, i ndodhur në Gjirin e Finlandës, pranë kufirit me Estoninë dhe rreth 170 kilometra në perëndim të Shën Petersburgut, nga ku nisen drejt tregjeve ndërkombëtare./voa

Të ngjashme