Google ADS

Ukraina raporton për suksese në fushëbetejë para takimit Biden-Zelensky

12:31 | 15 Shtator 2023
E.K

Ukraina ka raportuar për fitore të shumta në kundërofensivën ndaj forcave ruse, ndërkohë që presidenti i vendit, Volodymyr Zelensky, përgatitet për një takim me presidentin e SHBA-së, Joe Biden. Takimi i planifikuar për javën e ardhshme mund të rezultojë i rëndësishëm për sigurimin e mbështetjes së mëtejshme ndërkombëtare për Kievin në luftën kundër Rusisë.

Në orët e vona të 14 shtatorit, disa media cituan zyrtarë amerikanë të paidentifikuar duke konfirmuar se Bideni do të takohej me Zelenskyn në margjinat e takimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në SHBA javën e ardhshme.

Liderët e SHBA-së dhe Ukrainës priten të flasin në sesionin e 78-të të mbledhjes së OKB-së, më 19 shtator.

Zelensky pritet ta përdorë takimin e tij me liderët amerikanë dhe botërorë për të siguruar mbështetje dhe për të kërkuar armë dhe municione të avancuara, ndërsa pushtimi i Ukrainës nga Rusia po i afrohet muajit të 20-të.

Një instruktor ushtarak i ushtrisë amerikane shihet pranë ushtarakëve ukrainas gjatë stërvitjeve shumëkombëshe “Rapid Trident 2019” në Qendrën Ndërkombëtare të Washington Post raportoi se vizita e Zelenskyt është pjesë e një shtytjeje të përbashkët “për ta detyruar Kongresin amerikan të sigurojë 24 miliardë dollarë ndihmë shtesë për Ukrainën”.

Kjo vizitë pason samitin e presidentit rus, Vladimir Putin, këtë javë me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, në Rusi, në atë që zyrtarët perëndimorë besojnë se mund të jetë një përpjekje e Moskës për të shkëmbyer teknologji të avancuar me municione për ta ndihmuar luftën e saj në Ukrainë. Putin dhe Kim thuhet se po planifikojnë të takohen sërish në Korenë e Veriut, me ftesë të liderit koreano-verior.

CNN citoi burime republikane të kenë thënë se Zelensky do të takohet edhe me ligjvënësit dhe udhëheqësit e tjerë amerikanë.

Takimi i javës së arshshme Biden-Zelensky do të ishte takimi i parë i tyre që nga korriku, kur u takuan në margjinat e një samiti të NATO-s në Lituani.

Zelensky vizitoi për herë të fundit Shtetet e Bashkuara të Amerikës në dhjetor, në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit që nga fillimi i pushtimit nga Rusia në shkurt të vitit 2022.

Raportet sugjerojnë se është shtuar presioni nga SHBA-ja dhe aleatët e tjerë mbi Ukrainën për të demonstruar sukses në kundërofensivën që nisi në qershor.

Në orët e vona të 14 shtatorit, Zelensky tha në fjalimin e tij të përnatshëm se forcat ukrainase kishin arritur një “triumf” më herët gjatë ditës duke “shkatërruar” mbrojtjen ajrore ruse në Krimenë e pushtuar.

Një burim i inteligjencës ukrainase i tha Reuters se sistemi i mbrojtjes ajrore pranë Yevpatoriya u shkatërrua në atë që tha se ishte një sulm me dronë dhe raketa gjatë natës, i kryer nga Shërbimi i Sigurisë dhe marina e Ukrainës.

Imazhet satelitore duket se konfirmojnë dëme të rënda në një zonë ku ishin pozicionuar armët ruse në Yevpatoriya.

Shkatërrimi i raportuar i sistemit të mbrojtjes ajrore erdhi një ditë pasi Ukraina dëmtoi rëndë dy anije luftarake ruse në Krime.

Në fillim të 15 shtatorit, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha se trupat ukrainase kishin rimarrë qytetin Andriyivka në Donjeck, rreth 10 kilometra në jugperëndim të Bahmutit, “duke i shkaktuar armikut humbje të konsiderueshme në fuqi punëtore dhe pajisje”.

Një ditë më parë, zëvendësministrja e Mbrojtjes, Hanna Malyar, kishte njoftuar çlirimin e Andriyivkës përpara se ta tërhiqte deklaratën e saj dhe të thoshte se luftimet e ashpra atje po vazhdonin dhe situata ishte “shumë e vështirë dhe e paqëndrueshme”.

Ushtria e Ukrainës tha gjithashtu se kishte “sukses të pjesshëm” në zonën pranë Klishchiyivkas.

Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur t’i konfirmojë në mënyrë të pavarur pretendimet për zhvillimet në fushëbetejë nga asnjëra palë, në zonat e luftimeve më të ashpra./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme