Ukraina raportohet se po finalizon marrëveshjen për sigurimin e anijeve me drithëra

08:24 | 21 Gusht 2023
E.H

Ukraina është duke e finalizuar një marrëveshje me kompani globale të sigurimit për t’i mbuluar anijet me drithëra që udhëtojnë drejt dhe nga portet e saj në Detin e Zi, raportoi më 21 gusht Financial Times duke cituar zëvendësministrin e ekonomisë të Ukrainës, Oleksandr Gryban.

Gryban i tha mediumit amerikan se marrëveshja ishte duke “u diskutuar në mënyrë aktive” mes ministrive përkatëse, si dhe bankave vendase dhe grupeve ndërkombëtare të sigurimeve, përfshirë kompaninë Lloyd’s të Londrës, Anglisë.

Gjatë muajit gusht, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e paralajmëruaj se Ukraina do t’i luftojë sulmet e Rusisë në Detin e Zi, në mënyrë që të mundë të importojë dhe eksportojë drithëra dhe mallra të tjera përmes ujërave të tij.

Kjo deklaratë e Zelenskyt, më 8 gusht, erdhi pak ditë pasi dronët detarë ukrainas, të mbushur me eksplozivë, e dëmtuan një anije luftarake ruse, pranë një porti rus, dhe e goditën edhe një cisternë ruse të naftës.

Tensionet brenda dhe përreth Detit të Zi ishin përshkallëzuar në korrik, kur Rusia u tërhoq nga një marrëveshje e cila mundësonte eksportin e sigurt të drithërave nga portet e Ukrainës. Rusia i ka goditur vazhdimisht me dronë dhe raketa portet dhe siloset e drithit ukrainase.

Rusia u tërhoq nga marrëveshja, e ndërmjetësuar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara, pasi që tha se nuk janë plotësuar kërkesat e saj.

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, i propozoi muajin e kaluar presidentit rus, Vladimir Putin, që ta zgjasë marrëveshjen në këmbim të lidhjes së një dege të bankës bujqësore të Rusisë me sistemin e pagesave ndërkombëtare SWIFT, raportoi agjencia e lajmeve Reuters.

Rusia i bllokoi portet ukrainase në Detin e Zi në fillim të pushtimit të saj në shkurt 2022.

Kjo bllokadë po e ngufat Ukrainën ekonomikisht, pasi ekonomia e saj para luftës varej pothuajse plotësisht nga eksporti, me çelikun dhe drithërat më të eksportuarat./rel

Të ngjashme