Ukraina miraton buxhetin e luftës, mbi 45 miliardë euro për shpenzimet ushtarake

14:38 | 10 Nëntor 2023
E.K

Parlamenti ukrainas ka miratuar një buxhet të ri shtetëror për vitin 2024, që synon të përforcojë kundërofensivën ndaj pushtimit rus, që nisi rreth 20 muaj më parë.

Më shumë se gjysma e buxhetit prej 87 miliardë eurosh pritet të shpenzohet për përpjekjet ushtarake.

“Praktikisht, 50 për qind e shpenzimeve është për mbrojtjen dhe sigurinë e Ukrainës”, ka deklaruar kryeministri Denis Shmihal pasi vendimi qeveritar u bë zyrtar.

Sipas tij, do të ketë më shumë armë dhe autoblinda, si dhe më shumë dronë, municione e raketa. “Pra, çdo qindarkë e taksapaguesve do të shkojë për ushtrinë”, ka nënvizuar kreu i qeverisë.

Të ardhurat për 2024-n pritet të jenë megjithatë 45.4 miliardë, thuajse gjysma e shpenzimeve. Por Ukraina mbështetet tek aleatët perëndimorë për të mbushur boshllëkun, edhe pse mbledhja e fondeve mund të rezultojë i vështirë për shkak të lodhjes së donatorëve.

Vendi i përfshirë nga lufta ka marrë 32.4 miliardë euro mbështetje financiare këtë vit, rreth 3 miliardë më shumë sesa në vitin kur nisi pushtimi.

Ndërkohë në anën tjetër të frontit, presidenti rus Vladimir Putin zhvilloi natën mes së enjtes dhe së premtes një vizitë surprizë në selinë e ushtrisë ruse në Rostov on Don të Ukrainës.

Bëhet fjalë për vizitën e dytë të liderit rus në më pak se një muaj. Putin, i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe kreu i operacioneve ushtarake, Valeri Gerasimov, pa nga afër armatimet e reja dhe u njoh me të dhënat e fundit mbi progresin ushtarak rus./euronews

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme