Komandanti i forcave tokësore të Ukrainës, Oleksandr Syrskyi, ka thënë të hënën se trupat ushtarake janë duke vazhduar të zmbrapsin sulmet e ashpra ruse në Bahmut, dhe se kontrollimi i këtij qyteti përbën “nevojë ushtarake”.
Ushtria ukrainase ka thënë se koloneli Syrskyi i ka bërë këto deklarata në një vizitë në linjën e frontit në lindje ku ka tentuar “të zgjidhë çështje problematike që parandalojnë ekzekutimin efektiv të detyrave ushtarake” dhe të marrë “vendime operacionale që kanë për qëllim forcimin e kapaciteteve për të luftuar dëmin e armikut”.
Në deklaratë nuk janë dhënë detaje për vendin e saktë të vizitës, mirëpo komentet e Syrskyit kanë dhënë shenja se Ukraina mëton të luftojë për Bahmutin, pavarësisht numrit të madh të trupave atje.
“Faza më intensive e betejës për Bahmutin është duke vazhduar. Situata vazhdon të jetë e vështirë. Armiku është duke u përballur me humbje të mëdha të burimeve njerëzore, armëve dhe pajisjeve ushtarake, mirëpo vazhdon të kryejë sulme”, ka thënë ai.
Duke e vlerësuar qëndrueshmërinë e forcave ukrainase në kushte “jashtëzakonisht të vështira”, ai ka thënë se “mbrojtja e Bahmutit është nevojë ushtarake”.
“Ne jemi duke kalkuluar të gjithë skenarët në të ardhmen dhe do të reagojmë në mënyrë adekuate për situatën aktuale”.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka vizituar Bahmutin javën e kaluar dhe u ka dhënë medalje trupave që janë duke luftuar për atë zonë.
Të shtunën, komandanti i përgjithshëm, Valery Zaluzhniy, ka thënë se situata rreth Bahmutit është duke u “stabilizuar”.
Moska e konsideron zotërimin e këtij qyteti si pikë kyçe për kontrollim të rajonit lindor të Donbasit.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL/
Zgjedhjet presidenciale në Moldavi, drejt balotazhit
Prezantohet sot raporti final për barazinë gjinore 2020-2024...
Horoskopi ditor, parashikimi i yjeve për shenjën tuaj
Tjetër shpërthim në Libanin jugor, Izraeli zotohet të godas ...
Ursula von der Leyen të shtunën viziton Kosovës, pritet në t...
Zidane ‘injoron’ Ronaldon kur emëron tre lojtarët e Real Mad...