Google ADS

Ukraina identifikon 600 rusë të dyshuar për krime lufte

11:36 | 1 Qershor 2022
K.B

Kryeprokurorja e Kievit Irina Venediktova tha se Ukraina ka identifikuar 600 rusë të dyshuar për krime lufte dhe se ka filluar ndjekjen penale për 80 prej tyre.

“Lista e të dyshuarve përfshin zyrtarë të lartë të ushtrisë, politikanë dhe agjentë rusë”, deklaroi kryeprokurorja Iryne Venediktova gjatë një konference të mbajtur në Hagë gjatë ditës së martë, ku u takua me homologët e saj nga vendet e tjera.

Ajo shtoi tutje se rreth 200 deri në 300 raste të reja të krimeve të luftës zbulohen çdo ditë,

Venediktova bëri të ditur se Estonia, Letonia dhe Sllovakia kanë vendosur që t’i bashkohen një ekipi ndërkombëtar të hetuesve në Ukrainë, ekip i cili fillimisht u formua nga Ukraina, Lituania dhe Polonia gjatë muajit mars, në mënyrë që të shkëmbejnë informacione në lidhje me hetimet e tyre mbi dyshimet për krime lufte dhe për krime ndaj njerëzimit.

Ata po bashkëpunojnë së bashku me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila filloi hetimet e saj mbi krimet e mundshme të luftës në Ukrainë qysh në fillimet e muajit mars.

Zyra e prokurorit të GJND-së, Karim Khan, dërgoi në Ukrainë një ekip prej 42 hetuesve, ekspertë të mjekësisë ligjore dhe personel mbështetës, ndërsa Khan gjatë konferencës deklaroi se GJND po punon për hapjen e një zyre në Ukrainë në mënyrë që të mbështesin hetimet që po bëhen atje./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme