Forcat ukrainase kanë granatuar pozicionet ruse në rajonin e pushtuar dhe të aneksuar paligjshëm të Hersonit, duke shënjestruar rrugët e furnizimeve nëpër Lumin Dniepër, teksa duket se forcat e Kievit po përgatiten të kryejnë një sulm të plotë ndaj qytetit të Hersonit.
Zyra e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se 88 vendbanime në rajonin jugor të Hersonit dhe 551 vendbanime në rajonin verilindor të Harkivit janë “çliruar”, teksa kundërofensiva e forcave ukrainase në Herson po vazhdon.
Kyrylo Tymoshenko, zëvendëskreu i Zyrës së Zelenskyt, publikoi këto të dhëna, që janë të parat qëkur ushtria ukrainase ka nisur kundërofensivën disa javë më parë në Herson dhe Harkiv.
Ndërkaq, Zelensky gjatë një adresimi në orët e vona të 21 tetorit shtoi se forcat e tij po tregojnë “rezultate të mira” në rimarrjen e territorit nga forcat ruse në Herson.
Ukraina po tenton që të dëbojë forcat ruse nga Hersoni, duke i sulmuar nga pjesa lindore e Lumit Dinepër. Por, forcat ruse, që gjenden në pjesën perëndimore të bregut të këtij lumi, ku gjendet edhe qyteti i Hersonit, raportohet se janë afër që të humbin linjat e furnizimeve dhe përforcimeve.
Natalya Humenyuk, zëdhënës i komandës jugore të Ukrainës, tha se ushtria ukrainase ka goditur Urën Antonivski mbi Dniepër gjatë natës, teksa zyrtarët e instaluar nga Rusia në Herson kanë vendosur orë policore, për të parandaluar viktima në mesin e civilëve.
“Ne nuk sulmojmë civilët dhe vendbanimet”, tha Humeniuk për televizionin ukrainas.
Sulmet ukrainase e kanë bërë të pakalueshme Urën Antonivski, duke detyruar palën ruse që të përdorë tragete për të zhvendosur civilët, por edhe për të transportuar furnizime.
Më 21 tetor, Rusia ka dërguar mijëra trupa të mobilizuara për të mbrojtur Hersonin, bëri të ditur Shtabi i Përgjithshëm.
“Deri në 2.000 rusë të mobilizuar arritën në rajonin e pushtuar përkohësisht për të zëvendësuar trupat e humbur dhe për të përforcuar njësitë në linjën e kontaktit”, tha Shtabi i Përgjithshëm ukrainas përmes një deklarate për media.
“Në të njëjtën kohë, autoritetet pushtuese kanë lëshuar urdhër për t’u përgatitur për evakuimin e të punëtorëve të të ashtuquajturave institucione bankare dhe të punëtorëve shëndetësorë rusë dhe të mësuesve”, u tha në deklaratë.
Zyrtarët e instaluar nga Rusia po tentojnë të evakuojnë deri në 60.000 persona nga Hersoni.
Zelensky po ashtu i bëri thirrje Perëndimit që ta paralajmërojë Rusinë që të mos e sulmojë digën në hidrocentralin Nova Kahovka në Lumin Dniepër. Ai tha se forcat ruse kanë vendosur eksplozivë brenda digës, që mban një rezervuar të madh uji, dhe sipas tij, po planifikon që ta hedhë në ajër këtë digë./REL
UNDP i dhuron policisë pajisje pune për kontroll në vijën e ...
Anisa-Gjestit: Ti je qeni i Xhenetës
Ismet Bahtijarit i vazhdohet paraburgimi nga Specialja
Dronë të dyshimtë mbi bazat ushtarake amerikane, Britania di...
Vesa Luma shënon 20-vjetorin e karrierës së saj me koncert m...
Gjermani, AfD rekomandon daljen nga BE në programin e saj el...