Ukraina i kërkon Gjermanisë raketa Taurus

15:29 | 27 Maj 2023
K.B

Ukraina i ka kërkuar Gjermanisë që ta furnizojë me raketa të llojit Taurus, tha një zëdhënëse e Ministrisë së Mbrojtjes në Berlin.

Këto raketa mund të lëshohen nga anijet dhe kanë një rreze veprimi prej rreth 500 kilometrash.

Gjermania ka pranuar këtë kërkesë para disa ditësh, tha zëdhënësja, duke konfirmuar raportimet e Frankfurter Allgemeine Zeitung. Ajo nuk pranoi të japë më shumë detaje apo të tregojë nëse Gjermania do të furnizojë me këto raketa Ukrainën.

Nëse Berlini do t’i dërgojë Kievit këto raketa, atëherë Gjermania do të ndiqte shembullin e Britanisë, e cila më herët gjatë majit u bë shteti i parë që pranoi se i ka dhënë Ukrainës raketa me rreze të gjatë veprimi.

Shtetet e Bashkuara deri më tani kanë refuzuar që ta furnizojë Ukrainën me raketa ATACMS, që kanë rreze veprimi prej 297 kilometrash, pas shqetësimeve se Ukraina mund t’i përdorë ato për të sulmuar brenda kufijve rusë, që njihen ndërkombëtarisht.

Për muaj të tërë, Ukraina ka kërkuar që aleatët t’i japin këso lloje armësh, por ndihma e aleatëve perëndimore është përqendruar në armë me rreze më të shkurtër veprimi.

Taurus prodhohet nga prodhuesi evropian i raketave, MBDA, dhe ka karakteristika të njëjta me raketën britanike, Storm Shadow.

Kjo raketë mund të godasë me precizitet caqe, trupa dhe depo të karburanteve përtej vijave të frontit, dhe po ashtu mund të godasë shënjestra të tjera, sikurse bunkerët që janë thellë nën tokë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme