Dronë ukrainas goditën një depo municionesh brenda Rusisë gjatë natës, njoftoi të dielën një burim i forcave të sigurisë, i cili shtoi se ekzistojnë “mundësi të mëdha” për shpërthime në vendndodhje ushtarako-industriale ruse, në të ardhmen e afërt.
I njëjti burim, i cili kërkoi të mbetet anonim, i tha agjencisë së lajmeve ‘Reuters’ se objekti i goditur prej 9,000 metrash katrorë, ndodhej në rajonin rus të Voronezh.
Rajoni kufizohet me pjesë të Ukrainës verilindore, të pushtuar nga Rusia që nga viti 2022. Rusia ruante në depo raketa tokë-tokë dhe tokë-ajër, tanke, predha artilerie dhe plumba.
Sipas burimit, depoja ndodhej në afërsi të fshatit Sergeyevka, që shtrihet rreth 136 kilometra larg territorit më të afërt që kontrollohet nga Kievi.
Që kur Rusia sulmoi Ukrainën në vitin 2022, Kievi ka krijuar një flotë dronësh me rreze të gjatë veprimi që i kanë dhënë atij aftësinë për të goditur objektiva brenda territorit rus.
“Ekzistojnë mundësi të mëdha që në një të ardhme të afërt të ketë shpërthime të papritura në objekte ushtarako-industriale ruse, të cilat po përdoren për të furnizuar agresionin kundër Ukrainës”, tha burimi i forcave të sigurisë.
Ndërkohë Rusia njoftoi të dielën se kishte goditur dy sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot, por sipas zyrtarëve ukrainas, Moska kishte goditur objektiva jo të vertetë që përdoren si karrem nga Kievi, me synimin për të shteruar raketat e armikut.
Në një deklaratë të Ministrisë ruse të Mbrojtjes thuhej se sulmi ndodhi në zonën e portit Yuzhne në Detin e Zi, duke shtuar se ishte shkatërruar edhe një stacion radarësh. Po kështu thuhej se për sulmin ishin përdorur raketa balistike Iskander-M.
Duke komentuar videot e sulmit që qarkullojnë në mediat sociale, komandanti i Forcave Ajrore të Ukrainës Mykola Oleshchuk, tha në një postim në Telegram të shtunën në mbrëmje, se Rusia kishte goditur sisteme të rreme Patriot.
Agjencia e lajmeve ‘Reuters’ nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur pretendimet e asnjërës palë.
Ukraina ka vendosur edhe më parë struktura që ngjasojnë me sisteme të mbrojtjes ajrore dhe raketa perëndimore shumë milionë dollarëshe.
Zoti Oleshchuk shtoi se Rusia kishte goditur gjithashtu aeroplanë të rreme në një sulm me raketa në një aeroport ushtarak ukrainas të mërkurën./voa/
Nisma sot mban konventën për prezantimin e programit dhe kan...
“Gati shqipe!”, Rama, sot takim me shqiptarët në...
Horoskopi, çfarë parashikojnë yjet për ju
Stuhitë shkaktojnë kaos në Irlandë, Francë dhe Britani të Ma...
Gresa pyet banorët nëse janë të lumtur – Vullneti befason me...
Shërbimi Korrektues i Kosovës shënon 25-vjetorin e themelimi...