Udhëheqësit e BE-së vendosën të enjten t’i japin Ukrainës dhe Moldavisë zyrtarisht statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, njoftoi presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në Twitter.
“Një moment historik. Sot shënohet një hap vendimtar në rrugën tuaj drejt BE-së”, shkroi Michel në Twitter.
Pas vendimit ka reaguar presidenti ukrainas, Volodymir Zelensky, i cili ka shkruar në Twitter se e ardhmja e Ukrainës është në BE.
“Përgëzoj sinqerisht vendimin e liderëve të BE-së për dhënien e statusit kandidat. Është një moment unik dhe historik në marrëdhëniet tona. Mirënjohës ndaj Charles Michel dhe liderëve të BE-së për mbështetje. E ardhmja e Ukrainës është brenda BE-së”, tha ai.
Ukraina e shkatërruar nga lufta dhe fqinji i ngushtë, Moldavia, kanë lobuar për muaj të tërë për të nisur procesin e gjatë të anëtarësimit në bllokun 27-anëtarësh.
Zelensky ia kishte bërë këtë thirrje BE-së, duke thënë që kjo do të përbënte një “përgjigje të fuqishme” ndaj pushtimit të paprovokuar të Rusisë.
Gjeorgjia, e cila gjithashtu aplikoi për anëtarësim në BE në fillim të këtij viti, u njoh si një anëtare “perspektive”, tha Michel në Twitter.
BE-ja është “gati të japë statusin e kandidatit sapo të përmbushen prioritetet e përcaktuara”, tha Michel.
Kandidaturat e Ukrainës dhe Moldavisë kanë qenë në krye të agjendës në Samitin e BE-së.
“Këshilli Evropian njeh perspektivën evropiane të Ukrainës, Republikës së Moldavisë dhe Gjeorgjisë. E ardhmja e këtyre vendeve dhe qytetarëve të tyre qëndron brenda Bashkimit Evropian”, thuhet në draftin e fundit të deklaratës përfundimtare të samitit, një kopje të së cilës e ka parë Radio Evropa e Lirë.
“Përparimi i çdo vendi drejt Bashkimit Evropian do të varet nga merita e tij në përmbushjen e kritereve të Kopenhagës, duke marrë parasysh kapacitetin e BE-së për të absorbuar anëtarë të rinj”, thuhet tutje në dokument.
Drafti përfundimtar përsërit, gjithashtu, thirrjen e bllokut për hetime mbi krimet e mundshme të luftës të kryera në Ukrainë dhe thotë se blloku mbetet “i përkushtuar fort” për të ofruar mbështetje të mëtejshme ushtarake për Ukrainën dhe për të “punuar me shpejtësi” për rritjen e një mbështetjeje të tillë.
“E drejta ndërkombëtare humanitare, duke përfshirë trajtimin e të burgosurve të luftës, duhet të respektohet. Ukrainasit, veçanërisht fëmijët, të cilët janë larguar me forcë në Rusi duhet të lejohen menjëherë të kthehen të sigurt”, thotë dokumenti.
“Rusia, Bjellorusia dhe të gjithë ata që janë përgjegjës për krimet e luftës dhe krimet e tjera më të rënda do të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre, në përputhje me ligjin ndërkombëtar”.
Dhënia e kandidaturës për Ukrainën, “sinjal i fortë” për Rusinë
Dhënia e kandidaturës në BE për Ukrainën dërgon një “sinjal shumë të fortë” për Rusinë se blloku mbështet aspiratat pro-perëndimore të Kievit në vazhdën e pushtimit të Moskës, tha të enjten presidenti francez, Emmanuel Macron.
Udhëheqësi francez e përshëndeti këtë hap si një shenjë të “një Evrope të fortë dhe të bashkuar” përballë agresionit të Rusisë kundër fqinjit të saj.
Statusi i kandidatit për Bosnjën në tetor ose dhjetor
Vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë rënë dakord që të mandatojnë Komisionin Evropian për të nxjerrë një raport të ri për Bosnje dhe Hercegovinën dhe më pas do të ketë gatishmëri për të shqyrtuar mundësinë e marrjes së statusit të kandidatit, mëson Radio Evropa e Lirë nga burime diplomatike.
Sipas këtyre burimeve, BE-ja do të diskutojë statusin e kandidatit për Bosnjën në nivel liderësh në samitin e tetorit, jo më vonë se dhjetori i këtij viti.
Në Samitin e Bashkimit Evropian (BE), çështja e statusit kandidat për Bosnjën e Hercegovinën u shfaq në momentin kur kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, konfirmoi se vendi i tij po përpiqet të përcaktojë kornizën kohore në konkluzionet nga samiti, kur Bosnja do të marrë statusin e kandidatit.
Sipas burimeve jozyrtare, kjo nismë sllovene është përkrahur nga Kroacia, Austria dhe më vonë Hungaria.
Aderimi në BE, një proces i ngarkuar politikisht dhe ligjërisht kompleks, mund të zvarritet për vite apo edhe dekada.
KFOR-i turk patrullon në veri të vendit
“S’të kam lënë kurrë në baltë”, Sara dhe Driloni nuk ndahen ...
Banorët e Bibajve të Ferizajt protestojnë për reduktimet e r...
Juventusi ka një plan B në rast se dështon transferimi i Zir...
Izraeli arreston drejtorin e një spitali në veri të Gazës
Kurti dhe Nagavci vendosin gurthemelin e çerdhes në Rekë-Vat...