Google ADS

Udhëheqësit e NATO-s mblidhen për samitin në Vilnius

07:55 | 11 Korrik 2023
K.B

Udhëheqësit e aleancës ushtarake të NATO-s mblidhen sot dhe nesër në Vilnius të Lituanisë.

Samiti zhvillohet në një kohë kritike për sigurinë në Evropë, pasi lufta në Ukrainë është në mesin e një kundërofensive të Kievit.

Samiti vjen, gjithashtu, një vit pas takimit të Madridit, ku aleatët e NATO-s kanë rënë dakord për një koncept të ri strategjik, i cili e ka veçuar Rusinë si kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë.

Udhëheqësit e vendeve anëtare të organizatës më të madhe ushtarake në botë pritet të diskutojnë për një gamë të gjerë temash, në mesin e të cilave do të dominojnë përpjekjet e Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO, si dhe pranimi i Suedisë në aleancë.

Gjatë samitit nuk pritet që Ukrainës t’i bëhet ftesë për anëtarësim, gjë që, sipas procedurave të NATO-s, është hapi i parë drejt anëtarësimit të plotë.

Këtë e ka konfirmuar tashmë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili ka thënë se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë derisa lufta në këtë vend vazhdon.

Pritjet janë që aleatët të shfaqin disa mospajtime se si t’i qasen këtij problemi në deklaratën përfundimtare.

Vendet e Evropës Lindore besojnë se Ukrainës duhet t’i ofrohet një udhërrëfyes, ndërsa ato perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Gjermaninë, janë më të kujdesshme sa u përket veprimeve që do të mund ta sillnin aleancën më afër luftës me Rusinë./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme