Udhëheqësi i Koresë së Veriut, kërcënime të reja ndaj SHBA-ve dhe Koresë së Jugut

23:30 | 1 Janar 2024
E.G

Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un tha se ushtria e tij duhet “të shkatërrojë plotësisht” Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut nëse provokohet, sipas njoftimeve të medias shtetërore të Phenianit të hënën, pasi ai u zotua të përforconte mbrojtjen kombëtare për t’u përballur me, siç tha ai, konfrontimin e pashembullt amerikan.

Në një takim pesë ditor të partisë javën e kaluar, Kim Jong Un tha se do të lëshojë edhe tre satelitë ushtarakë spiunazhi, do të prodhojë edhe më shumë material bërthamorë dhe do të prodhojë dronë sulmues këtë vit. Vëzhguesit thonë se këto paralajmërime janë përpjekje për të rritur peshën e tij në raport me Shtetet e Bashkuara dhe angazhimet diplomatike në të ardhmen.

Gjatë takimit të së dielës me zyrtarët e lartë ushtarak, udhëheqësi koreanoverior tha se me urgjencë duhet të mprehët “shpata e çmuar” për të ruajtur sigurinë kombëtare, duke iu referuar programit të vendit të tij për prodhimin e armëve bërthamore. Ai përmendi “lëvizjet konfrontuese të Shteteve të Bashkuara dhe forcave tjera ushtarake armiqësore”, sipas agjencisë zyrtare koreanoveriore të lajmeve KCNA.

Kim Jong Un theksoi se “ushtria jonë duhet t’u japë një goditje vdekjeprurëse dhe t’i shkatërrojë plotësisht ata, duke përdorur mjetet më të forta pa asnjë hamendje”, nëse ata zgjedhin konfrontimin ushtarake dhe provokimet ndaj Koresë së Veriut, sipas KCNA-s.

Në fjalimin e Vitit të Ri të hënën, Presidenti i Koresë së Jugut Yoon Suk Yeol tha se ai do të përforcojë aftësinë ushtarake të vendit për të ndërmarrë sulm parandalues si dhe mbrojtjen raketore dhe kapacitetet tjera hakmarrëse si kundërpërgjigje ndaj kërcënimit bërthamor të Koresë së Veriut.

“Republika e Koresë po ndërton një paqe të vërtetë, afatgjatë përmes fuqisë, jo përmes një paqeje nënshtruese që varet nga vullneti i mirë i armikut”, deklaroi Presidenti Yoon në fjalimin drejtuar vendit.

Në takimin partiak, Kim Jong Un e quajti Korenë e Jugut “një vend me të meta dhe një shtet i nënshtruar kolonial” shoqëria e të cilit është “ndotur me kulturën” amerikane. Ai tha se ushtria e tij duhet t’i përdorë të gjitha mjetet në dispozicion, përfshirë armët bërthamore për të “shtypur tërë territorin e Koresë së Jugut” në rast konflikti.

Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut paralajmëroi të dielën se nëse Koreja e Veriut përpiqet të përdorë armët bërthamore, forcat amerikane dhe ato të Koresë së Jugut do ta godasin atë fortë, duke i dhënë fund qeverisjes së udhëheqësit Kim Jong Un.

Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të Koresë së Veriut, zyrtarët e Koresë së Veriut u takuan të hënën për të zbatuar urdhrin e udhëheqësit të vendit Kim Jong Un për të shpërbërë apo reformuar organizatat, që menaxhojnë marrëdhëniet me Korenë e Jugut për ta ndryshuar parimin bazë dhe udhëheqjen e betejës së Koresë së Veriut kundër Jugut. Është e paqartë se si mund të ndikojë kjo në marrëdhëniet ndërmjet dy Koreve, të cilat kanë ngecur që një kohë të gjatë.

Ekspertët thonë se përplasjet ushtarake të shkallës së ulët mund të priten sivjet ndërmjet Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut përgjatë kufirit të tyre të fortifikuar. Ata thonë se pritet që Koreja e Veriut do të vazhdojë provat me raketa me rreze të gjatë veprimi, që mund të arrijnë territorin e Shteteve të Bashkuara dhe armë të tjera të reja.

Në vitin 2018-2019 Kim Jong mbajti tre takime me Presidentin amerikan Trump, në të cilat u diskutua mbi zgjerimin e arsenalit bërthamor të Koresë së Veriut. Përpjekjet diplomatike dështuan pasi Shtetet e Bashkuara nuk pranuan propozimin e Phenianit për ta shkatërruar kompleksin kryesor bërthamor, një hap i kufizuar, në këmbim të një lehtësimi të gjerë të sanksioneve amerikane.

Që nga viti 2022, Koreja e Veriut ka kryer mbi 100 prova me raketa, duke nxitur Amerikën dhe Korenë e Jugut që të zgjerojnë stërvitjet e përbashkëta ushtarake. Koreja e Veriut gjithashtu ka bërë përpjekje për afrim të mëtejshëm me Kinën dhe Rusinë, që bllokuan përpjekjet e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të tyre në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për t’i ashpërsuar sanksionet e OKB-së ndaj Koresë së Veriut për shkak të provave me raketa dhe armë të tjera.

Sipas KCNA-s, Presidenti Kim dhe Presidenti kinez Xi Jinping shkëmbyen mesazhe për Vitin e Ri të hënën për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe. Ka dyshime se Koreja e Veriut ka furnizuar me armë konvencionale Rusinë për luftën në Ukrainë në këmbim me teknologjive të sofistikuar ruse për të përmirësuar programet e ushtarake.

Vlerësimet mbi arsenalin bërthamor të Koresë së Veriut janë të ndryshme, duke nisur nga 20-30 bomba deri te mbi 100 të tilla. Shumë ekspertë të huaj vlerësojnë se Koreja e Veriut ende ka disa pengesa teknologjike në përpjekjet për prodhimin e raketa bërthamore funksionale me rreze të gjatë veprimi, megjithëse ato me rreze të shkurtër veprimi mund të godasin Korenë e Jugut dhe Japoninë./voa

Të ngjashme