Shtetet e Bashkuara thonë se kanë ndarë informacione zbulimi me Kievin në lidhje me vendndodhjen e kryqëzorit rus “Moskva”, përpara se luftanija të goditej nga forcat ukrainase, e të fundosej, një zhvillim që u cilësua si një disfatë e madhe për ushtrinë ruse.
Por nga ana tjetër Pentagoni mohoi sot se kishte luajtur një rol të drejtpërdrejtë në sulmin ndaj luftanijes.
Sekretari i shtypit i Pentagonit John Kirby tha në një deklaratë se Shtetet e Bashkuara nuk i dhanë informacione specifike Ukrainës për ta goditur luftanijen, po shtoi se Uashingtoni dhe aleatët ndajnë në mënyrë rutinë informacione zbulimi me Ukrainën.
“Nuk ishim të përfshirë në vendimin e ukrainasve për të goditur anijen, ose në operacionin që ata kryen”, tha zoti Kirby. “Ne nuk kishim dijeni paraprake mbi qëllimet e Ukrainës për ta goditur anijen”, shtoi ai më tej.
Të enjten, një zyrtar amerikan tha se ishte vetë Ukraina ajo që vendosi ta qëllonte me raketa, e ta fundoste anijen kryesore të flotës ruse në Detin e Zi. Por duke pasur parasysh sulmet e Rusisë nga deti, në drejtim të Ukrainës, SHBA-të kanë ofruar një gamë informacionesh zbulimi, që përfshijnë vendndodhjet e këtyre anijeve, tha i njëjti zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti.
Administrata Biden ka rritur shkëmbimin e informacioneve të zbulimit me Ukrainën së bashku me dërgesat në armë e raketa, për ta ndihmuar atë të zmbrapsë sulmin e Rusisë. Zbulimi i këtyre informacioneve mbi mbështetjen që kanë dhënë SHBA-të në sulmin ndaj luftanijes, vjen pasi Shtëpia e Bardhë ndodhet nën trysninë e republikanëve për të bërë më shumë në mbështetje të rezistencës së Ukrainës dhe ndërsa sondazhet sugjerojnë se një pjesë e amerikanëve kanë ngritur pikëpyetje nëse Presidenti Joe Biden po tregohet mjaftueshëm i ashpër ndaj Rusisë.
Gjatë një interviste për rrjetin televiziv CNN të premten, zoti Kirby tha se informacionet e zbulimit që Uashingtoni i ka ofruar Ukrainës bazohen në një proces të ligjshëm, dhe se ato janë të kufizuara, sikurse shtoi ai.
Zëdhënësi i Pentagonit pranoi se SHBA-të janë gjithmonë të shqetësuara mbi potencialin e përshkallëzimit të konfliktit me Rusinë, një vend që ka armë bërthamore.
Në një kohë kur përgjithësisht Rusia po përballet me probleme me ofensivën e saj, Moska ka lëshuar paralajmërime gjithnjë e më kërcënuese ndaj SHBA-ve dhe aleatëve të saj në NATO, se do të tentojë të godasë dërgesat në armë që po forcojnë mbrojtjen e Ukrainës.
Prej momentit që Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi sulmin më 24 shkurt, Shtëpia e Bardhë është përpjekur të balancojë mbështetjen ndaj Ukrainës, me një qasje që nuk synon të provokojë një luftë të drejtpërdrejtë mes Rusisë nga njëra anë dhe SHBA-ve e aleatëve të saj në NATO, nga ana tjetër.
Zyrtari amerikan, që foli në kushte anonimiteti të enjten, tha se SHBA-të nuk ishin në dijeni se Ukraina po planifikonte ta godiste luftanijen deri pas kryerjes së operacionit. Televizioni amerikan “NBC News” ishte i pari që njoftoi mbi rolin amerikan në fundosjen e anijes.
Duke folur më herët të enjten, pas një artikulli në gazetën “New York Times” lidhur me rolin e Uashingtonit në vrasjen e gjeneralëve rusë nga ana e forcave ukrainase, zëdhënësi i Pentagonit John Kirby tha se agjencitë amerikane nuk ofrojnë informacione zbulimi mbi vendndodhjen e udhëheqësve të lartë ushtarakë në fushën e betejës, ose nuk marrin pjesë në vendimet, që merr ushtria e Ukrainës mbi objektivat që zgjedh për të goditur.
“Ukraina kombinon informacionin që ne dhe partnerët e tjerë i sigurojmë, me informacionin që mbledh vete, e më pas merr vendime mbi veprimet e saj”, tha zoti Kirby./VOA
Burimi i përlotur lë shtëpinë, momenti që preku të gjithë
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...
Bedri Hamza shkon në Zubin Potok, dënon aktin nga vendi i ng...