Uashingtoni do të njoftojë 3 miliardë dollarë ndihma për Ukrainën

07:19 | 24 Gusht 2022
K.B

Uashingtoni duket se po e shndërron në një fushatë afatgjatë ndihmën e sigurisë për Ukrainën, ndërsa Rusia vazhdon agresionin në Ukrainë.

Zyrtarët amerikanë thonë se ka gjasa që Uashingtoni të mbajë më shumë trupa ushtarake në Evropë në të ardhmen, përfshirë planet për një ndihmë shtesë prej rreth 3 miliardë dollarësh për të trajnuar dhe pajisur forcat ukrainase për të luftuar për disa vite.
Zyrtarët amerikanë i thanë agjencisë së lajmeve Associated Press se paketa e ndihmës pritet të shpallet të mërkurën, ditën që shënon gjashtëmujorin e fillimit të agresionit në Ukrainë dhe ai vend feston ditën e pavarësisë.

Zyrtarët thanë se paratë do të financojnë kontrata për tre lloje dronësh dhe armë të tjera, municione dhe pajisje që mund të mos shohin frontin e betejës për një ose dy vite.

Shuma totale e paketës së ndihmës, e cila ofrohet në bazë të Iniciativës së Ndihmës për Sigurinë e Ukrainës dhe është më e madhja deri më sot, mund të pësojë disa ndryshime të vogla para se të bëhet publike të mërkurën.

Zyrtarët thanë në kushte anonimiteti se paketa do të përfshijë fonde për dronët e vegjël Puma që lëshoehn me dorë, dronët e vëzhgimit Scan Eagle me qëndrueshmëri më të gjatë të cilët lëshohen me katapultë, dhe për herë të parë, sistemin e dronëve British Vampire, që mund të lëshohen nga anijet.

Ndryshe nga shumica e ndihmave të mëparshme, paketa synon kryesisht të ndihmojë Ukrainën që të sigurojë një mbrotje afatmesme dhe afatgjatë, sipas zyrtarëve me njohuri mbi çështjen.

Dërgesat e mëparshme janë përqendruar tek nevojat më imediate të Ukrainës për armë e municione dhe pajisje që Pentagoni ka në rezerva dhe mund të dërgohen menjëherë. Paketa e re synon të sigurojë zyrtarët ukrainas se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë mbështetjen e tyre, pavarësisht situatës, thanë zyrtarët.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg vuri në dukje të martën një përqendrim më të zgjeruar të aleancës, ndërsa ripohoi mbështetjen për vendin e shkatërruar nga konflikti.

“Dimri po vjen, dhe do të jetë i vështirë, dhe ajo që ne shohim tani është një luftë rrënqethëse. Kjo është një betejë vullnetesh dhe një betejë logjistike. Prandaj ne duhet të vazhdojmë mbështetjen për Ukrainën për një afat të gjatë, në mënyrë që Ukraina të triumfojë si një komb sovran dhe i pavarur”, tha zoti Stoltenberg, duke folur në një konferencë virtuale mbi Krimenë, të organizuar nga Ukraina.

Ndërkohë në Ukrainë është shtuar frika se Rusia do të intensifikojë sulmet ndaj infrastrukturës civile dhe objekteve qeveritare në ditët në vijim për shkak të festës së pavarësisë dhe njëkohësisht ditës që shënon fillimin e agresionit gjashtëmujor në Ukrainë

Edhe vende të tjera të NATO-s po shënojnë gjithashtu ditën e pavarësisë së Ukrainës me njoftime për ndihma të reja për atë vend.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se vendi i tij po ofron më shumë se 500 milionë euro në ndihma për Ukrainën. Agjencia gjermane e lajmeve, DPA, tha se paketa përfshin sisteme të fuqishme kundërajrore, raketahedhëse, municione, mjete të blinduara dhe sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore me rreze të gjatë. Parlamenti gjerman duhet të japë miratimin, ndërsa shumë pajisje do të dërgohen vitin e ardhshëm.

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, njoftoi 3.85 milionë dollarë për dy projekte në Ukrainë përmes Programit të Operacioneve të Paqes dhe Stabilizimit.

Që nga ardhja e Presidentit Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë, Shtetet e Bashkuara kanë ofruar rreth 10.6 miliardë dollarë ndihma ushtarake për Ukrainën. Pentagoni po shqyrton gjithashtu plane për stërvitjen e trupave ukrainase jashtë vendit të tyre, si edhe për ushtritë e vendeve të krahur lindor dhe jugor të Evropës që ndihen më të kërcënuara nga agresioni rus. /voa

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme