Miq, familjarë dhe ish-kolegë po nderojnë sot Colin L. Powell, ushtarakun dhe diplomatin që gëzon një admirim të gjerë, i cili nga një djalë i Bronksit u bë i pari afrikano-amerikan në krye të Shtabit të Përgjithshëm e më vonë, sekretari i parë afrikano-amerikan i Shtetit.
Sot në Katedralen Kombëtare në Uashington po mbahet funerali për nder të tij ku po merr pjesë edhe Presidenti Joe Biden, si dhe ish-Presidentët Obama dhe Bush.
Gjatë ceremonisë mbajti një fjalim Madeleine Albright, paraardhësja e zotit Powell në detyrën e sekretares së Shtetit.
Megjithëse me vonë do të bëheshin miq të mirë, marrëdhëniet mes zotit Powell dhe zonjës Albright janë përshkuar nga përplasje, sikurse ajo gjatë periudhës që zonja Albright shërbente si ambasadore në
Kombet e Bashkuara nën administratën Klinton. Të dy e kanë risjellë në vëmendje atë periudhë, që përkonte me muajt e fundit të zotit Powell në detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Aso kohe zonja Albright shtroi një pyetje që lidhej me ndërhyrjen ushtarake të SHBA-së në Ballkan duke thënë se: pse Shtetet e Bashkuara duhet të kishin një ushtri të shkëlqyer nëse nuk mund ta përdornin për rrethana të tilla?
Në kujtimet e tij duke iu referuar atyre ditëve zoti Powell ka thënë se ishte acaruar aq shumë nga deklarata sa kishte “menduar se do të pësonte një aneurizëm”. (fryrje e aortës, arteries kryesore të zemrës që furnizon me gjak pjesën tjetër të trupit).
Lidhur me këtë çështje pikëpamja e zotit Powell ishte se Shtetet e Bashkuara duhet ta angazhonin ushtrinë e tyre, vetëm kur të kishin një objektiv politik të qartë dhe të arritshëm, një element kyç i asaj që do të njihej më vonë si Doktrina Powell.
Pikërisht këtij momenti iu rikthye zonja Albright në fjalimin e saj gjatë ceremonisë së lamtumirës për zotin Powell, duke theksuar arsyet se pse u bënë miq, pavarësisht dallimeve:
“Arsyeja është se nën atë pamje të jashtme plot shkëlqim prej luftëtari e burri shteti, fshihej një nga njerëzit më të butë dhe më të denjë që secili prej nesh mund të ketë takuar ndonjëherë. Ndërsa arrita ta njoh, arrita ta shoh Colin Powell-in si një figurë që tejkalonte cdo dimension për nga virtytet e tij, ndershmëria homeriane, dinjiteti, besnikëria dhe për nga përkushtimi i palëkundur ndaj vlerave ku besonte dhe si një njeri të fjalës. Këto ishin të njëjtat tipare që ai pa u lodhur përpiqej t’i kultivonte tek ushtarët nën komandën e tij, tek diplomatët që drejtonte, kolegët me të cilët punonte, lexuesit e librave të tij, tek të gjithë ata që dyndeshin për të dëgjuar fjalimet e tij, studentët apo tek mijëra të rinj që përfituan nga Aleanca e Premtuar Amerikane, që Alma dhe ai e trumbetonin me forcë”, tha zonja Albright.
Të pranishmëve të mbledhur në Katedralen Kombëtare iu drejtua edhe i biri i zotit Powell, Michael Powell, me një zë që i dridhej mes lotësh e dhimbjes për njeriun e dashur.
“Ralph Waldo Emerson ka thënë se qëllimi i jetës nuk është të jesh i lumtur, por të jesh i dobishëm, të jesh i nderuar e i dhembshur, të bësh ndryshimin duke dëshmuar se ke jetuar ….dhe jetuar mirë. Babai im bëri një ndryshim të madh dhe jetoi mirë. Por shtroj pyetjen: a po krijojmë më breza të llojit të tij? Besoj se përgjigja për këtë varet nga ne. Për të nderuar trashëgiminë e tij, shpresoj që ne të bëjmë më shumë sesa thjesht ta fusim atë në librat e historisë. Shpresoj që ne të angazhohemi për të qenë një komb që ende po krijojmë njerëz të llojit të tij, sepse siç e ka thënë edhe ai vetë në autobiografinë e tij, udhëtimi i tij ishte një udhëtim amerikan. Colin Powell ishte një luan me një zemër të madhe, i cili do të na mungojë tmerrësisht”, tha Michael Powell.
Zoti Powell vdiq më 18 tetor në moshën 84-vjeçare nga ndërlikime të shkaktuara nga COVID-19. Familja e tij tha se ai ishte plotësisht i vaksinuar kundër koronavirusit, por zotit Powell kishte një sistemit të dobët imunitar pasi vuante nga mieloma e shumëfishtë, apo kanceri i gjakut një sëmundje për të cilën merrte trajtime.
Historia e ngritjes së zotit Powell si një nga figurat më të shquara të kombit, ka shërbyer si një shembull për shumë njerëz.
Në autobiografinë e tij të titulluar “Udhëtimi im Amerikan”, zoti Powell kujtonte një fëmijëri të epokës së pas depresionit, të jetuar në lagjen e Bronksit në Nju Jorkut, si një nxënës jo i mirë, i shkujdesur dhe pa objektiva.
Ushtria i hyri në gjak gjatë vitit të tij të parë në Kolegjin e Nju Jorkut në vitin 1954. Frymëzuar nga shokët e tij me uniformë ai u regjistrua në Trupat e Trajnimit të Oficerëve Rezervë të shkollës.
Pas kësaj zoti Powell do të vazhdonte të shquhej me karrierën e tij në ushtri.
Edhe pse ishte vetëm 4 vjeç kur Shtetet e Bashkuara hynë në Luftën e Dytë Botërore, ai ruante kujtime të gjalla nga vitet e luftës.
Zoti Powell shërbeu në ushtri për 35 vjet. Ai u emërua në detyrën e togerit të dytë në vitin 1958, më pas shërbeu si drejtues toge, në atë që aso kohe njihej si Gjermania Perëndimore dhe në vitin 1962 shërbeu për një vit në Vietnam si këshilltar i një batalioni këmbësorie, periudhë gjatë së cilës u plagos. Zoti Powell do të shërbente sërisht në Vietnam në vitin 1968 dhe më pas ai mbajti një sërë detyrash si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Në fund të viteve 1970 ai punoi në Zyrën e Sekretarit të Mbrojtjes dhe në vitin 1983 shërbeu si gjeneral brigade duke u bërë ndihmësi i lartë ushtarak i Sekretarit të Mbrojtjes Caspar Weinberger. Më vonë ai shërbeu në Shtëpinë e Bardhë si këshilltar për sigurinë kombëtare i Presidentit Ronald Reagan dhe në vitin 1989 u ngrit në detyrën e një gjenerali me katër yje. Më vonë, po atë vit, Presidenti George H.W. Bush e emëroi në detyrën e Shefit të Përgjithshëm të Shtabit.
“Ai ishte aq i preferuar nga presidentët saqë u nderua dy herë me Medaljen Presidenciale të Lirisë”, tha ish-Presidenti George W. Bush në një koment pas publikimit të njoftimit për vdekjen e zotit Powell.
Gjatë karrierës së tij ai u vlerësua lart e fitoi besim ndërkombëtar, besim që u vu në rrezik në shkurtin e vitit 2003, kur gjatë një fjalimi në Kombeve të Bashkuara, në cilësinë e sekretarit të Shtetit, ai parashtroi kërkesën për të nisur luftën në Irak. Pas daljes së lajmeve se informacionet e zbulimit që ai përmendi ishin të gabuara e ndërsa lufta në Irak u shndërrua në një makth të përgjakshëm dhe kaotik, reputacioni i zotit Powell u dëmtua, por megjithatë nuk u shkatërrua.
Pas largimit nga qeveria, ai u shndërrrua në një figurë qendrore në skenën globale. Ai themeloi një organizate e cila synonte të ndihmonte të rinjtë e varfër amerikanë e pa mundësi kryesisht financiare. Republikanët donin që ai të kandidonte për president. Por i zhgënjyer me partinë e tij, zoti Powell dha mbështetjen e tij për tre kandidatët më të fundit për president që i takojnë partisë demokrate, të cilët mirëpritën mbështetjen e tij.
Ndikimi i zotit Powell u ndje në nivelet më të larta të struktuave amerikane të mbrojtjes edhe për shumë kohë pas tërheqjes së tij nga jeta publike. Lloyd Austin, i cili në janar u bë sekretari i parë afrikano-amerikan i Mbrojtjes, e quajti zotin Powell një mik dhe këshilltar të tij. Ashtu si zoti Powell, zoti Austin u ngjit në strukturat e ushtrisë duke u bërë një gjeneral me katër yje.
Në ditën e vdekjes së zotit Powell, zoti Austin e quajti atë “një nga udhëheqësit më të mëdhenj që ka njohur vendi”.
Zoti Powell ishte mes atyre figuarave të shquara të vendit në fushën e sigurisë kombëtare që humbën jetën këtë vit, mes tyre George Shultz, i cili ka shërbyer në kabinetin e Presidentit Ronald Reagan dhe ishte sekretar Shteti nën Presidentin George H.W. Bush; si dhe Donald H. Rumsfeld, i cili ka shërbyer dy herë si sekretar i Mbrojtjes. Vetëm disa javë para vdekjes së zotit Powell, një ish-komandant i forcave amerikane në Irak, gjenerali i ushtrisë Raymond Odierno, vdiq nga sëmundja e kancerit./VoA/
Kurti mori pjesë në ceremoninë “Laureatët 2024” ...
Marrje ryshfeti/ Arrestohen dy zyrtarë komunalë në Graçanicë...
Abdixhiku: Finalizuam orarin elektoral, agjendën zgjedhore, ...
OJQ-të në Serbi paraqesin kallëzim penal për spiunim
Kurti priti në takim lamtumirës ambasadorin Hovenier: Kosova...
Ndahet nga jeta ish-kryeministri indian Manmohan Singh