U qëllua, pastaj u kap dhe u burgos: Historia rrëqethëse dhe pamje të rralla në të cilat shihet John McCain, si një i burgosur lufte në Vietnam

12:08 | 26 Gusht 2018
Arbresh.info

Senatori amerikan, John McCain, gjashtë herë senator republikan nga Arizona dhe hero i luftës ka vdekur në moshën 81-vjeçare.

I njohur për qëndrimin luftarak gjatë gjithë dekadave në Senat dhe për dy përpjekje të dështuara për t’u zgjedhur president i Shteteve të Bashkuara, McCain ka vuajtur nga kanceri në tru.

Ai ka qenë i rrethuar nga familja dhe miqtë në Arizona në ditët e fundit, ndërsa ka ndërruar jetë pas publikimit të librit të tij të fundit “Vala e shqetësimit: Kohët e mira, kauzat e drejta, luftërat e mëdha dhe vlerësimet e tjera”.

Por, përveç betejës me sëmundjen e rëndë, përcjell Telegrafi, McCain është ballafaquar edhe me një betejë tjetër jetësore, gjithashtu shumë të vështirë – vite më parë.

Bëhet fjalë për kohën kur ka qenë i burgosur lufte në Vietnam, histori të cilën ua sjellim më poshtë, së cilës ia kemi bashkëngjitur edhe një video që po qarkullon në mediat sociale.

Sipas përshkrimit të videos, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për pamje të rralla në të cilat shihet John McCain, si një i burgosur lufte në Vietnam.

Më 26 tetor të vitit 1967, McCain po fluturonte në misionin e tij të 23-të, kur forcat armike e qëlluan aeroplanin e tij mbi Hanoi.

John McCain në një spital të Hanoi gjatë Luftës së Vietnamit në nëntor 1967

I detyruar për tu larguar nga aeroplani, ai ra në një liqe, duke thyer të dy krahët dhe një këmbë.

Më pas ai u kap dhe u transferua në burgun famëkeq Hoa Loa, i quajtur “Hanoi Hilton”.

McCain do të kalonte pesë vjet rraskapitës si një rob i luftës në Vietnam, duke duruar periudha të përsëritura torturash dhe periudha të gjata të izolimit të vetmuar.

Në mesin e vitit 1968, Presidenti Lyndon B. Johnson bëri babain e McCainit, John S. McCain Jr, komandant i përgjithshëm i të gjitha forcave amerikane në Paqësor, duke përfshirë të gjitha forcat në Vietnam.

John McCain mbërrin në bazën ajrore Clark në Filipine, pas lirimit të tij nga Hanoi gjatë Luftës së Vietnamit më 1973. Richard Nixon personalisht e mirëpriti atë në shtëpi pasi ishte një i burgosur lufte për pesë vjet e gjysmë

Sapo të burgosurit e tij mësuan se kush ishte babai i tij, ata ofruan lirimin e McCain si një dredhi propagandistike.

Por ai refuzoi të shkelte kodin ushtarak të sjelljes, duke këmbëngulur se ata do të duhej të linin çdo peng amerikan të kapur para tij, para se të pranonte lirimin e tij.

Më në fund, McCain u kthye në shtëpi në mars të vitit 1973, shumë shpejt pasi armëpushimi i dha fund konfliktit në Vietnam.

Lëndimet e tij, dhe rrahjet që ai rezistoi në robëri, e kishin lënë të paaftë për të ngritur krahët mbi kokën e tij.

Pas kthimit të tij në Shtetet e Bashkuara, ai mori disa mirënjohje për kontributin e tij.

“Kishte tri gjëra që më jepnin forcë”, tha McCain për revistën People në një intervistë të vitit 1992, duke folur për përvojën e tij në Vietnam. “Besimi në Zot, besimi te të burgosurit tjerë dhe besimi në vendin tim”. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme