Google ADS

Turqia zotohet të zbulojë të vërtetën për gazetarin saudit

23:09 | 20 Tetor 2018
Trina Galanxhi

Turqia është zotuar të zbulojë të gjitha detajet për vrasjen e gazetarit Jamal Khaghoggi, pasi Arabia Saudite ka pranuar se ai është vrarë në konsullatën arabe në Stamboll.

“Turqia nuk do të lejojë që ky rast të zbehet”, ka thënë një zëdhënës i partisë në pushtet, transmeton portali arbresh.info

Arabia Saudite sugjeroi të premten se Khashoggi, një kritik i shquar saudit, kishte vdekur pas një përleshje me grushte.

Zyrtarët turq insistojnë se ai është vrarë me dashje, brenda konsullatës dhe se trupi i tij u shpërbë.

Në fillim të kësaj jave, zyrtarët turq të paidentifikuar i thanë medias se kanë dëshmi audio dhe vizuale rreth vrasjes së gazetarit.

Mbretëria Saudite, e cila ishte vënë nën presion të madh për të shpjeguar zhdukjen e gazetarit, ka dalë dje me deklaratë rreth rastit.

Deri të premten ata kanë mohuar të kenë dijeni mbi rastin.

Arabia Saudite thotë se një luftë me grushte shpërtheu mes gazetarit dhe njerëzve të pranishëm në konsullatë, duke përfunduar kështu me vdekjen e tij.

Deri me tani janë arrestuar 18 shtetas sauditë dhe hetimet janë duke vazhduar.

Përveç arrestimeve, dy zyrtarë të lartë janë shkarkuar për çështjen – zëvendës shefi i inteligjencës Ahmad al-Assiri dhe Saud al-Qahtani, ndihmës i lartë i princit të kurorës Mohammed Bin Salman.

“Turqia do të zbulojë çdo gjë që ka ndodhur,” tha Omer Celik i partisë qeverisëse AKP të Turqisë, sipas agjencisë së lajmeve Anadolu.

“Askush nuk duhet të ketë dyshime në lidhje me të. Ne nuk po akuzojmë askë, por nuk pranojmë që rasti të zbehet”, shtoi ai.

Turqia ka ndaluar të fajësojë Arabinë Saudite për vrasjen./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme