Google ADS

Turqia thotë se eksportet e para të drithit ukrainas mund të nisin më 1 gusht

15:04 | 31 Korrik 2022
A. B.

Një zëdhënës i presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se ka gjasa të mëdha që anija e parë me eksporte të drithërave të largohet nga Ukraina më 1 gusht.

“Nëse të gjitha detajet kompletohen deri nesër, gjasat janë të mëdha që anija e parë do të largohet nga porti nesër”, tha për televizionin turk, Kanal 7, zëdhënësi Ibrahim Kalin.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha më herët gjatë kësaj jave se Ukraina është e gatshme të nisë eksportet e miliona tonë drithërave, të cilat aktualisht gjenden në portet në jug të vendit. Ai tha se po presin nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara, që janë pajtuar që të mbikëqyrin dërgesat, që të nisin operimin.

Kievi dhe Moska nënshkruan marrëveshje me Turqinë dhe OKB-në më 22 korrik, me synimin që të zhbllokohen tri portet ukrainase – në Odesa, Çernomorsk dhe Juzhni – që janë bllokuar qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ukraina vazhdon të zbatojë marrëveshjen e grurit pavarësisht sulmit rus në portin e Odesës
Marrëveshja mundëson që miliona tonë drithëra dhe plehra të mund të dërgohen në mbarë botën, teksa bllokadat në Ukrainë kanë nxitur një krizë ushqimore në botë.

Ukraina dhe Rusia janë dy prej eksportuesve më të mëdha në botë të drithërave.

Zelensky shkroi më 31 korrik në Twitter se të korrat e drithërave të Ukrainës mund të jenë përgjysmë më pak sesa zakonisht, për shkak të luftës.

Ai tha se “qëllimi ynë kryesor është të parandalojmë krizën globale ushqimore të shkaktuar nga pushtimi rus. Megjithatë, drithi gjen mënyra alternative për t’u transportuar”, tha ai./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme