Turqia thërret ambasadorin danez për protestat ku u dogj Kurani

15:30 | 28 Janar 2023
A. B.

Turqia thërriti ambasadorin danez dhe e akuzoi Danimarkën për mbështetje të një “krimi urrejtjeje”, pasi një aktivist anti-islamik dogji të premten dy kopje të librit të shenjtë të fesë islame, Kuranit, në formë proteste solidariteti në Kopenhagen.

Rasmus Paludan, një aktivist i së djathtës së largët me nënshtetësi daneze dhe suedeze, zemëroi më parë Turqinë me organizimin e protestës gjatë së cilës dogji Kuranin më 21 janar në Suedi. Tashmë, ai e përsëriti këtë veprim të premten përpara një xhamie, si dhe përpara ambasadës turke në Kopenhagen. Ai u zotua ta vazhdojë këtë veprim çdo të premte, derisa Suedia të pranohet në NATO.

Suedia dhe vendi fqinj Finlanda, kërkojnë të bëhen pjesë e aleancës ushtarake perëndimore ndërkohë që po zhvillohet lufta në Ukrainë, duke bërë kështu një largim historik nga politikat e tyre të asnjëanësisë. Por, për anëtarësimin e tyre duhet miratimi i të gjitha vendeve anëtare të NATO-s, dhe Turqia ka sinjalizuar se do të bllokojë kandidaturën e Suedisë, pjesërisht edhe për shkak të veprimeve të zotit Paludan. Por edhe përpara kësaj, Ankaraja u ka kërkuar këtyre dy vendeve që të marrin masa ndaj militantëve kurdë dhe grupeve të tjera që ajo i konsideron terroriste.

Agjencia shtetërore turke Anadolu njoftoi se ambasadori danez ishte thirrur në Ministrinë e Jashtme turke ku zyrtarët turq “kishin dënuar me forcë lejen e dhënë për këtë akt provokativ që përbën qartazi një krim urrejtjeje”.

Ambasadorit iu tha se “qëndrimi i Danimarkës është i papranueshëm” dhe se Turqia kishte pritur që leja të anullohej, njoftoi agjencia Anadolu.

Ministria e Jashtme e Turqisë bëri më vonë një deklaratë ku e quan zotin Paludan “një sharlatan që urren islamin” dhe shpreh keqardhje për faktin që iu lejua të organizojë demonstratën.

“Të tregohet tolerancë për akte kaq të urryera që ofendojnë ndjeshmëritë e miliona njerëzve që jetojnë në Evropë rrezikon praktikën e bashkëjetesës paqësore dhe provokon sulme raciste, ksenofobike dhe anti-myslimane”, thuhet në deklaratën e ministrisë.

Ministri i jashtëm danez Lars Lokke Rasmussen u tha mediave daneze si incidenti nuk do të ndryshojë “marrëdhënien e mirë” të Danimarkës me Turqinë, duke shtuar se Kopenhageni synon të bisedojë me Ankaranë për ligjet e Danimarkës që mbrojnë liritë.

“Detyra jonë tani është që të bisedojmë me Turqinë se si janë kushtet në Danimarkë me demokracinë tonë të hapur, dhe se ka dallim mes Danimarkës si vend – dhe popullit tonë si të tillë – dhe individëve që kanë pikëpamje shumë të ndryshme”, tha zoti Lokke Rasmussen.

Pas veprimeve në Suedi të zotit Paludan javën e kaluar, Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan paralajmëroi Stokholmin të mos presë mbështetje për aplikimin për anëtarësim në NATO. Turqia shtyu gjithashtu pa afat një takim të rëndësishëm në Bruksel, ku do të diskutohej për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës.

Me profesion jurist, zoti Paludan themeloi parti të së djathtës së largët në Suedi dhe në Danimarkë, të cilat nuk kanë arritur të fitojnë ndonjë vend në zgjedhjet kombëtare, rajonale apo vendore. Gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar në Suedi, partia e tij mori vetëm 156 vota në të gjithë vendin.

Të premten u mbajtën protesta në disa vende me shumicë myslimane për të denoncuar protestat e zotit Paludan në Suedi, si dhe një incident të ngjashëm në Holandë./REL

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme