Turqia tërheq rusët me mjete pagese

14:49 | 23 Maj 2022
A. B.

Pavarësisht nga lufta në Ukrainë, Turqia shpreson të bëjë biznes me shumë pushues nga Rusia. Prandaj ajo ka lehtësuar pagesat, transferimet e parave dhe qasjen në llogari për qytetarët rusë.

Menjëherë pas sulmit të ushtrisë ruse në Ukrainë, Elena mbërrin në Stamboll. Ajo punon në marrëdhëniet me publikun për një universitet rus. Për këtë ajo nuk ka nevojë të jetojë në Moskë, mund të bëhet edhe online, thotë rusja. Punëdhënësi nuk e përbën problem nëse flet në mediat perëndimore, shpjegon Elena. Por shteti rus po ushtron presion, për këtë arsye ajo nuk dëshiron që mbiemri i saj të publikohet.

Ajo ka një apartament në Moskë, kështu që patjetër do t’i duhet të kthehet atje. Por tani për tani, ajo preferon të qëndrojë në Turqi, pasi aparati qeveritar i Vladimir Putin bëhet gjithnjë e më represiv.

Tërheqjet nga bankomatet funksionojnë

Meqenëse Elena është në Stamboll, ajo duhet të mendojë se si ta transferojë rrogën e saj në Stamboll, e cila i paguhet në rubla, monedhën ruse. Ajo ka dy karta krediti që janë pjesë e sistemit rus të pagesave Mir. Ajo mund t’i përdorte ato për të tërhequr para në Stamboll nga automatet e lidhura me sistemin e pagesave në fjalë. Bankomatet e disa bankave pranojnë tërheqje me karta ruse. Bankat e tjera turke, në të cilat kanë aksione institucionet e huaja financiare duket se janë më të kujdesshme për shkak të sanksioneve.

Nurredin Nebati, Ministri i Financave i Turqisë, u ka premtuar udhëtarëve rusë në Turqi se nuk do të kenë probleme për të paguar me kartat Mir në Turqi këtë sezon. Megjithatë, në prill, banka qendrore e Ukrainës i bëri thirrje Turqisë që të mos pranonte më pagesa nëpërmjet sistemit Mir.

Alternativa për kartat e kreditit Mir

Ka alternativa për kartat e kreditit. Elena hapi një llogari investimi në një bankë turke dhe kjo është shumë e lehtë nëse fut mjaftueshëm para, thotë ajo.

Përmes kësaj llogarie, ajo mund të transferojë para nga Rusia në Turqi. Deri në 50.000 dollarë amerikanë.

Dhe në fund është Koronapay, shton Elena. Një sistem pagese që e përdorin shumë në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, si “Western Union”, ofruesi amerikan i transfertave ndërkombëtare. Nëse shumë rusë do të rreshtoheshin jashtë postave turke, do të merrnin para nga Koronapay, thotë rusja me banim në Stamboll.

Rusët në Turqi nuk kanë frikë për llogaritë e tyre në rubla

Që nga fillimi i luftës, Turqia ka qenë një vend ku qytetarët rusë nuk duhet të shqetësohen për humbjen e qasjes në llogaritë e tyre në rubla. Kritikët e Putinit nuk janë sigurisht të vetmit që e kanë regjistruar atë. Sipas gazetës së internetit “Duvar English”, rusë të pasur derdhën para në tregun turk të pasurive të paluajtshme pas pushtimit rus të Ukrainës. Në prill, blerja e pasurive të paluajtshme nga rusët u dyfishua në krahasim me një muaj më parë. Këta të fundit janë blerësit kryesorë të huaj.

Në vitin 2021, Turqia priti 4.7 milionë turistë rusë, numri më i lartë nga çdo vend tjetër. Pavarësisht sanksioneve perëndimore, presidenti Rexhep Tajip Erdogan po punon shumë për të siguruar që pushuesit rusë të mund të vazhdojnë të pushojnë në rivierën turke në vitin 2022.

Përpjekja e kompanive turke për të zgjeruar biznesin e tyre me udhëtarët rusë ka të ngjarë një reagim ndaj sanksioneve kundër linjave ajrore ruse, të cilat kanë sjellë deri tani rusët në Turqi. Por në të njëjtën kohë vazhdojnë fluturime të linjës ajrore ruse Aeroflot midis Moskës dhe Stambollit.

Elena tregon se nëna e saj kishte ardhur disa ditë më parë me Aeroflot. Asaj thjesht i ishte dashur të fluturonte një orë më gjatë, sepse hapësira ajrore e Ukrainës është e mbyllur. Pushimet e turistëve rusë në rivierën turke duken të sigurta – pavarësisht nga sanksionet.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme