Turqia në qendër të vëmendjes, pas tërheqjes së Rusisë nga marrëveshja për drithin

20:18 | 20 Korrik 2023
K.B

Ukraina po bën thirrje për vazhdimin e eksportit të drithit të saj përmes Detit të Zi, pas tërheqjes së Rusisë këtë javë nga marrëveshja që bënte të mundur transportin e sigurt, pavarësisht nga lufta. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones njofton nga Stambolli se sipas analistëve, çdo marrëveshje e re do të kishte nevojë për bashkëpunimin e Turqisë.

Marrëveshja që garantonte kalim të sigurt për anijet me drithë nga zona e luftës dhe nga e cila u tërhoq Moska, ishte ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy do që eksportet e grurit të vazhdojnë dhe po u bën thirrje vendeve të ofrojnë mbrojtje të besueshme dhe afatgjatë për korridorin e transportit.

Një gjë e tillë do të kishte nevojë për mbështetjen e marinës turke, e cila është e dyta më e madhja pas Rusisë në Detin e Zi. Por Ankaraja po heziton të angazhohet, pas paralajmërimit të Moskës për rrezikun që paraqet vazhdimi i eksporteve të grurit.

“Flota detare ruse është shumë e fuqishme në këtë zonë, ka shumë luftanije, kanë më shumë se dhjetë nëndetëse. Kjo çështje do të jetë një shqetësim i madh për NATO-n dhe për sigurinë e Turqisë, dhe do të shkaktojë probleme në marrëdhëniet Turqi-Rusi”, i tha Zërit të Amerikës Mesut Casin, Këshilltar i Presidentit turk.

Nëse Ankaraja nuk ofron ndihmë, anëtarët e tjerë të NATO-s mund të ndërhyjnë për të siguruar vazhdimin e eksportit të drithërave ukrainase, gjë që ekspertët thonë se është thelbësore për të parandaluar rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe urinë në disa pjesë të botës.

Por Turqia është porta e Detit të Zi sipas Konventave ndërkombëtare dhe disa analistë thonë se ajo do të ngurronte të lejonte anijet luftarake të NATO-s, t’i afrohen zonës së luftës.

“Ato anije mund të ktheheshin lehtësisht në objektiva dhe ndoshta prania e tyre nuk do të zvogëlonte, por do të rriste rrezikun e përshkallëzimit midis NATO-s dhe Rusisë. Dhe kjo është arsyeja se pse Turqia u ka sugjeruar aleatëve të saj dhe të tjerëve që të rishqyrtojnë planet e tyre për të dërguar anije luftarake në Detin e Zi”, i thotë Zërit të Amerikës prof. Serhat Guvenc i Universitetit “Kadir Has”.

Që kur filloi agresioni frontal i Rusisë në Ukrainë vitin e kaluar, Ankaraja ka bllokuar hyrjen në Detin e Zi si për anijet ruse ashtu edhe për ato të NATO-s. Është pjesë e asaj që Turqia thotë se është një qasje e ekuilibruar. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan thotë se kjo e ndihmoi atë të ndërmjetësonte marrëveshjen e OKB-së për drithin midis Ukrainës dhe Rusisë.

Zori Erdogan thotë se beson se diplomacia turke mund të gjejë sërish një zgjidhje. Ministrat e jashtëm të Rusisë dhe Turqisë zhvilluan bisedime të martën.

“Deti i Zi, edhe pse i mbyllur dhe i vogël, është një nga zonat më të rrezikshme në botë. Dikush duhet t’ia hapë portën (për) Kremlinin. Kjo duhet të jetë Turqia”, thotë Mesut Casin, Këshilltar i Presidentit turk.

Turqia, si eksportuesi më i madh në botë i miellit dhe ndër eksportuesit më të mëdhenj të makaronave, do të kishte humbje nëse nuk rifillojnë eksportet e drithit ukrainas.

Në kushtet e mungesës së anijeve që transportonin grurë ukrainas në rrugët ujore turke, analistët parashikojnë rritjen e çmimeve të ushqimeve, ashtu si edhe presioni për të gjetur një zgjidhje./voa

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme