Turqia ndjek me vëmendje se kush do të jetë Presidenti i ri i Iranit

07:28 | 26 Maj 2024
E.G

Turqia po ndjek më vëmendje se kush do të zëvendësojë presidentin iranian Ebrahim Raisi, pas vdekjes së tij si pasojë e rënies së helikopterit me të cilin udhëtonte. Siç njofton nga Stambolli korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones, marrëdhëniet mes dy fuqive rajonale janë në një moment kyç.

Vdekja e presidentit iranian Ebrahim Raisi ndodhi në një moment të rëndësishëm për marrëdhëniet e Turqisë me Iranin.

 

Një dron ushtarak turk ndihmoi për gjetjen e helikopterit të rrëzuar, por analistët thonë se gjeste të tilla të dukshme ndihme bëhen ndërsa në sfond ekziston një rivalitet në rritje mes dy vendeve.

 

“Konkurenca politike dhe ekonomike vazhdon. Por, kur shohim deklaratat e presidentit turk, ai është shumë i kujdesshëm që të shmangë diskursin negativ strategjik. Madje Turqia mbajti edhe një ditë zie. Asnjë vend tjetër nuk e bëri këtë; as vendet arabe”, thotë Huseyin Bagci, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Teknik të Lindjes së Mesme, në Ankara.

 

Turqia mbajti një ditë zie kombëtare për presidentin iranian, duke u përpjekur të fshehë faktin se Ankaraja dhe Teherani po konkurojnë për ndikim në rajone të ndryshme.

 

“Për Turqinë, tashmë e ardhmja e Kaukazit jugor, Irakut dhe Sirisë është shumë jetike për sigurinë e saj kombëtare. Në këto zona, Turqia përballet me Iranin që vepron kundër interesave kombëtare të Turqisë”, thotë Bilgehan Alagoz, profesore e marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Marmarasë, në Stamboll.

 

Ushtria turke është përgatitur për një ofensivë madhore në Irak dhe Siri ndaj bazave të grupit rebel kurd PKK, që lufton kundër shtetit turk. Ankaraja e ka kritikuar vazhdimisht Teheranin se nuk mbështet përpjekjet e saj.

 

Me vdekjen e presidentit Raisi, Irani pritet të organizojë zgjedhje të reja presidenciale. Analistët thonë se Ankaraja mund ta shohë këtë si një mundësi për të përmbushur objektivat e saj, në veçanti duke patur parasysh ndasitë e brendshme në Iran.

 

“Tashmë kemi një luftë për pushtet, që do të vazhdojë. Kryesorët janë ushtria dhe klerikët, që kanë një partneritet mes tyre. Por njëkohësisht edhe luftojnë me njëri-tjetrin”, thotë profesor Bagci.

 

Analistët thonë se nëse Garda Revolucionare e Iranit rrit pushtetin e saj, kjo mund të sjellë edhe një aktivizim më të lartë të grupeve të mbështetura nga Irani në Irak dhe Siri, të cilat shpesh sfidojnë interesat e Turqisë. Kjo do të nxiste më tej rivalitetin mes Turqisë dhe Iranit.

 

“Një vetëbesim i shtuar nga Garda Revolucionare, i kombinuar me pushtetin politik, do të jetë një faktor paqëndrueshmërie në Lindjen e Mesme. Prandaj Turqia do ta trajtojë këtë çështje me shqetësim”, thotë profesorja Alagoz.

Ndërsa Ankaraja dhe Teherani konkurojnë për influencë në Siri, Irak dhe Sudan, analistët thonë se tranzicioni në Iran drejt një presidenti të ri mund të ketë pasoja të rëndësishme për mbarë rajonin./voa/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme