Google ADS

Turqia, mikpritësja më e madhe e refugjatëve në botë, ndjen presion nga publiku

16:19 | 20 Qershor 2023
Orgesa Haziri

Turqia strehon më shumë refugjatë se çdo vend tjetër në botë, duke përfshirë mbi 3 milionë sirianë që janë larguar nga lufta civile.

Presidenti i sapozgjedhur turk Rexhep Tajip Erdogan po vazhdon politikën e tij për të pranuar miliona refugjatë, kryesisht sirianë, në Turqi dhe duke i lejuar ata të qëndrojnë pavarësisht kundërshtimit në rritje të publikut.

Korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones njofton nga Stambolli.

Shumë refugjatë sirianë që shkuan në Turqi humbën më shumë se shtëpitë dhe vendin e tyre.

18-vjeçari Semir, i cili donte të identifikohej vetëm me emrin e tij, humbi prindërit dhe katër vëllezërit e motrat në luftën civile; ai humbi këmbët, por thotë se shpreson të ecë përsëri.

“Më ndihmuan shumë për çdo gjë, lavdi Zotit. Gjithçka është në rregull. Po stërvitem pak me gjymtyrët dhe më pas do të kalojnë në një protezë të re. Do të filloj të eci përsëri”.

Qendra e protezave ortopedike të Stambollit u krijua nga Fondacioni i Ndihmës Humanitare të Turqisë, si dhe Shoqata Ndërkombëtare e Mjekëve.

Aty përdoret teknologjia më e fundit nën mbikëqyrjen e Dr. Yasar Tatarit.

“Veçanërisht në Siri, ka një numër të madh të atyre që kanë humbur gjymtyrët. Djegiet e shkaktuara nga bombat gjithashtu përbëjnë sfida të mëdha për ne. U kemi shërbyer rreth 2,045 personave dhe kemi bërë afërsisht 4,000 proteza. Ky është një numër i madh. Pak qendra në botë mund të bëjnë kaq shumë proteza në një kohë kaq të shkurtër”.

Tërmetet vdekjeprurëse të shkurtit në Turqi dhe Siri e shtuan punën e qendrës, pasi shumë njerëz humbën gjymtyrët në katastrofë.

Turqia pret mbi 3 milionë refugjatë sirianë, së bashku me një numër të madh irakianësh dhe afganësh.

Ndjenjat kundër refugjatëve po shtohen, dhe kjo reflektohet shpesh në mbishkrimet me grafiti.

“Problemet shoqërore mund të lindin nga ardhja e një numri të madh refugjatësh. Problemet e fundit ekonomike të Turqisë kanë ndikuar gjithashtu. Për më tepër, gjatë zgjedhjeve disa politikanë në veçanti ngritën çështjen e refugjatëve”, thotë Mustafa Ozbek me Fondacionin për Ndihmë Humanitare.

Gjatë zgjedhjeve presidenciale të majit, sfiduesit e Presidentit Recep Tayyip Erdogan u zotuan të kthejnë miliona refugjatë sirianë.

Analistët thonë se fitorja e Erdoganit është një lehtësim jo vetëm për refugjatët, por edhe për Bashkimin Evropian, i cili paguan Turqinë për të pritur refugjatët.

“Evropianët ndoshta u lehtësuan kur Erdogani u rizgjodh, sepse kjo do të thotë, që marrëveshja e refugjatëve, e cila ka shumë rëndësi për udhëheqësit e BE-së, do të mbetet e paprekur, do të mbetet funksionale”, thotë analisti politik Serhat Guvenc .

Por Presidenti Erdogan, ndoshta i vetëdijshëm për shqetësimin publik turk për refugjatët, tani po zotohet të përshpejtojë ndërtimin e shtëpive në zonat siriane jashtë kontrollit të Damaskut për të lehtësuar kthimin e një milion sirianëve.

Mbetet për t’u parë se sa refugjatë sirianë do ta pranojnë këtë ofertë./VOA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme