Turqia e shikon me pozitivitet aplikimin e Finlandës për anëtarësim në NATO, por nuk mbështet atë të Suedisë, tha presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.
“Qëndrimi ynë ndaj Finlandës është pozitiv, por nuk është pozitiv ndaj Suedisë”, tha Erdogan më 1 shkurt gjatë një fjalimi në Parlamentin turk.
Vitin e kaluar, Suedia dhe Finlanda aplikuan për anëtarësim në NATO pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës. Megjithatë, këto dy shtete u përballën me kundërshti nga Turqia dhe që atëherë kanë tentuar që të përmbushin kushtet e vëna nga Ankaraja.
Ankaraja dëshiron që Helsinki, dhe Stokholmi në veçanti, të ndërmarrin një qëndrim më të ashpër kundër Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, që konsiderohet grup terrorist nga Turqia dhe Bashkimi Evropian, dhe ndaj një grupi tjetër që pala turke fajëson për puçin e dështuar ushtarak të vitit 2016.
Tri shtetet arritën një marrëveshje qershorin e kaluar për rrugën përpara, por Ankaraja muajin e kaluar pezulloi bisedimet pas rritjes së tensioneve që u shkaktuan nga një protestë në Stokholm, ku u dogj një kopje e Kuranit, librit të shenjtë të myslimanëve.
“Në këtë pikë, Suedia nuk duhet as të tentojë. Ne nuk do të themi ‘po’ për aplikimin e tyre për në NATO për aq kohë sa ata lejojnë djegien e Kuranit”, tha Erdogan.
Gjatë fundjavës së kaluar, lideri turk sinjalizoi se Ankaraja mund të pajtohet që Finlanda të anëtarësohet në NATO para Suedisë. Por, ministri i Jashtëm finlandez, Pekka Haavisto, tha të hënën se shteti i tij vazhdon të mbajë qëndrimin që dy shtetet të anëtarësohen së bashku.
Nga 30 shtetet anëtare të NATO-s, vetëm Turqia dhe Hungaria ende nuk kanë ratifikuar pranimin e dy shteteve nordike në aleancën ushtarake perëndimore.
I pyetur nëse Turqia ka plane që të ketë procese të ndara për Finlandën dhe Suedinë, ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavugoslu, tha se NATO dhe dy shtetet nordike janë ato që vendosin nëse do të ketë ratifikime të ndara.
“Nëse NATO dhe dy shtetet vendosin për procese të ndara të anëtarësimit, Turqia sigurisht që do të rishqyrtojë veçmas anëtarësimin e Finlandës dhe në mënyrë më favorizuese”, tha Cavugoslu gjatë vizitës në Estoni./rel
Siri, 9 të vrarë në operacionin për arrestimin e një ish zyr...
Rodrygo ka refuzuar mega ofertën e gjigantit evropian
Sipas Romanos, Rashfordi e sheh Barcelonën destinacionit e t...
Krasniqi mbështet Ramën për kritikat ndaj punës së Kuvendit ...
Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit
Salah “vazhdon traditën” poston foton para pemës...