Turqia mbetet donatori më i madh në botë për ndihma humanitare

10:12 | 1 Tetor 2019
Arbresh Info

Shpenzimet e Turqisë për ndihma humanitare kanë arritur në 8,4 miliardë dollarë në vitin 2018, nga 8,1 miliardë në vitin 2017, thotë organizata e pavarur Development Initiative (DI)

Turqia është donatori më i madh në botë për ndihmat globale humanitare për dy vite me radhë në 2017 dhe 2018, ka njoftuar një organizatë e pavarur e zhvillimit ndërkombëtar.

Turqia ka harxhuar 8,4 miliardë dollarë për ndihma humanitare në vitin 2018, ndërsa këto shpenzime në vitin 2017 ishin 8,1 miliardë dollarë, thuhet në raportin e ndihmave globale humanitare të organizatës Development Initiative (DI).

Në raport thuhet se në vitin 2018, rreth 29% e të gjitha ndihmave humanitare, që janë rreth 28,9 miliardë dollarë, vinin nga Turqia.

Ndihma e ofruar nga shtetet tjera ka rënë në bazë vjetore në vitin 2018, duke përfshirë SHBA-të, (nga 6,68 në 6,65 miliardë dollarë), Gjermaninë (nga 2,98 në 2,98 miliardë dollarë) dhe Mbretërinë e Bashkuar (nga 2,52 në 2,19 miliardë dollarë).

Shpenzimet e Turqisë për ndihma humanitare ishin pothuajse 1,1% nga Bruto Prodhimi Vendor (BPV) i saj në vitin 2018, që është një rritja në krahasim me vitin 2017 kur ishte 1%.

SHBA ofron 0,032% të BPV-së së saj, Gjermania 0,074% dhe Mbretëria e Bashkuar 0,077%.

Turqia radhitej e treta në raportin e DI-së në vitet 2013, 2014 dhe 2015, ndërsa ishte e dyta në vitin 2016.

Sipas të dhënave zyrtare, Turqia gjithashtu strehon numrin më të madh të refugjatëve (4 milion) në botë. Në shtator, numri i refugjatëve sirianë që jetojnë në Turqi ishte 3,66 milionë.

– 1,8 miliardë njerëz në varfëri

Raporti thotë se vitin e kaluar, 1,8 miliardë njerëz në botë kanë jetuar në varfëri, prej të cilëve 697 milionë janë përballur me varfëri ekstreme, që paraqet ulje në krahasim me vitin 2017 kur 2 miliardë njerëz kanë jetuar në varfëri, ndërsa 753 milionë në varfëri ekstreme.

“Njerëzit që jetojnë në varfëri janë të definuar si njerëz që jetojnë me më pak se 3,2 dollarë në ditë. Njerëzit që qetojnë në varfëri ekstreme janë të definuar si njerëz që jetojnë me më pak se 1,9 dollarë në ditë”, thuhet në raport.

Sipas të dhënave të raportit, në vitin 2018 ndihma humanitare gjithsej ishte 28,9 miliardë dollarë; në vitin 2017 ishte 28,6 miliardë dollarë; 2016-26,5; 2015-25,2; 2014-22,2.

Rreth 22,6 miliardë dollarë në ndihma humanitare janë ofruar nga qeveritë dhe nga institucionet e BE-së, ndërsa pjesa tjetër e shumës është dhënë nga donatorë privat.

Në donatorët privatë përfshihen individë, fondacione, kompani dhe shoqata kombëtare.

Në raport thuhet se më shumë ndihma humanitare u dërguan në Siri (2,35 miliardë dollarë), Jemen (1,9 miliardë dollarë), Sudanin e Jugut (1,37 miliardë dollarë), Irak (1,25 miliardë dollarë), dhe Somali (1,01 miliardë dollarë).

Për të gjashtin vit me radhë, Siria ishte shteti ku dërgohen më shumë ndihma humanitare.

Organizatat multilaterale transportuan 14,7 miliardë dollarë në ndihma, ndërsa 9,7 miliardë dollarë në ndihma u dërguan nëpërmjet organizatave joqeveritare dhe 2,2 miliardë dollarë nëpërmjet Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe Gjysmëhënës së Kuqe.

Në raport thuhet se sipas përllogaritjeve, 206,4 milionë njerëz kishin nevojë për ndihmë në vitin 2018.

“Konfliktet në Siri, Jemen dhe në Republikën Demokratike të Kongos vazhdojnë të shkaktojnë vuajtje të pashpjegueshme dhe kontribuojnë në numrin rekord të njerëzve që u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre”, thuhet gjithashtu në raport.

DI është një organizatë e pavarur e zhvillimit ndërkombëtar që fokusohet te roli i të dhënave në drejtim të zhdukjes së varfërisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm./AA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme