Turqia liron nga burgu gazetarin francez Loup Byro

20:21 | 15 Shtator 2017
Trina Galanxhi

Gazetari francez, i cili është mbajtur në një nga burgjet e Turqisë  nën akuzat për terrorizëm, do të lirohet.

Lajmi erdhi një ditë pasi ministri i jashtëm francez Jean-Yves Le Drian gjatë një vizite në Turqi kishte kërkuar me ngulm që të lirohet 27-vjeçari, gazetari Loup Bureau, transmeton portali arbresh.info

Avokatët e Byrosë kanë dhënë njoftimin mbi lirimin e tij, ndërsa Christophe Deloire, nga Reporterët pa Kufij, përmes rrjetit social Tëitter ka thënë se lirimi i gazetarit është ‘afër’ dhe se ai do të kthehet në Paris të shtunen.

Byroja, student i gazetarisë që ka punuar me kanalin televiziv francez TV5 u arrestua në fund të korrikut në kufirin Turqi-Irak.

Ai u akuzua si bashkëpunëtorë i Njësisë Mbrojtëse të Popullit Kurd (YPG), grup të cilin Ankaraja e quan ‘organizatë terroriste’.

Arrestimi i tij shtoi edhe më tej alarmin mbi ndalimin e fjalës së lirë në Turqi.

Në burgjet e Turqisë vazhdon të mbetet korrespondenti i Die Welt, Deniz Yucel, i cili është akuzuar personalisht nga Erdogani si ‘bashkëpunëtorë i terroristëve’.

Në Turqi janë arrestuar 171 gazetarë, shumica e të cilëve janë akuzuar në lidhje me grusht shtetin e dështuar gjatë vitit të kaluar./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme