Ankaraja e ka kritikuar politikën e vijës së ashpër të Uashingtonit ndaj Teheranit.
Në kushtet kur bashkëpunimi i Turqisë shihet si jetik në zbatimin e sanksioneve të SHBA kundër Iranit, analistët thonë se në horizont mund të shfaqet një konfrontim i ri.
“Zbatimi i sanksioneve kundër Iranit do të ketë një ndikim negativ në të gjithë rajonin dhe është jashtëzakonisht i rrezikshëm”, tha të premten ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu në një intervistë me agjencinë shtetërore turke të lajmeve Anadolu.
Një këshilltar i lartë i presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, duke folur në kushte anonimiteti, tha se “Turqia do të zbatojë vetëm sanksionet e OKB-së dhe të askujt tjetër. Turqia nuk do të përdoret për agjendat e vendeve të tjera.”
Presidenti i SHBA, Donald Trump më parë këtë vit u zotua të zbatojë sanksione të ashpra ekonomike kundër Teheranit pasi u tërhoq nga një marrëveshje ndërkombëtare për programin bërthamor të Iranit.
Analistët thonë se ndërsa Turqia dhe Irani janë historikisht rivalë rajonalë, Ankaraja është e kujdesshme për të mos u përfshirë në ndonjë konfrontim midis Uashingtonit dhe Teheranit.
“Turqia ka kufi të përbashkët me Iranin dhe ka pasur marrëdhënie të vështira me Iranin gjatë shumë shekujve”, thotë Sinan Ulgen, kreu i institutit Edam në Stamboll. “Por në të njëjtën kohë dihet se ajo do të vazhdojë të jetojë krah për krah me Iranin dhe e njeh rolin e Iranit në rajon. Prandaj Turqia nuk dëshiron të marrë pjesë në një konflikt midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara,”shtoi Ulgen.
Marrëdhëniet turko-iraniane shpesh karakterizohen si një miks i paqëndrueshëm i bashkëpunimit dhe rivalitetit. Turqia e varfër në burime energjie mbështetet tek nafta e Iranit dhe është importuesja më e madhe e gazit natyror iranian. Por këtë javë, Brian Hook, Drejtor për Planifikimin e Politikave në SHBA, tha se nuk do të ketë lëshime për asnjë kompani që bën biznes me Iranin.
Analistët theksojnë se Ankaraja i ka sabotuar sanksionet e mëparshme kundër Iranit. “Që nga fillimi, Ankaraja ka përfituar shumë nga sanksionet, sidomos nën regjimin e ish-presidentit iranian Ahmadinexhad. Turqia ishte një nga dy ose tre vendet që ndihmuan në shmangien e sanksioneve,” thotë eksperti për Iranin, Jamshid Assadi, i shkollës franceze të biznesit Burgundy.
“Por Turqia është më e izoluar ndërkombëtarisht sesa ka qenë në të kaluarën dhe mund të jetë e gatshme të anashkalojë sanksionet. Por mendoj se kjo do të jetë më e vështirë, ajo duhet të mendohet dy herë përpara se të sfidojë Uashingtonin; Ankaraja nuk është në marrëdhënie të mira me Izraelin dhe Bashkimin Evropian,” shton Assadi.
Uashingtoni ruan një mekanizëm të fuqishëm presioni mbi Ankaranë. Autoritetet e SHBA po shqyrtojnë gjoba të mundshme prej shumë miliarda dollarësh ndaj bankave shtetërore turke. Një gjykatë e Nju Jorkut dënoi një punonjës të lartë të Halkbankës Turke për shkeljen e sanksioneve amerikane me Iranin.
“Duke pasur parasysh gjendjen tashmë mjaft të dobët të ekonomisë turke, nëse SHBA vendos të imponojë sanksione të rënda, kjo do të rrezikonte më tej shëndetin e ekonomisë,” paralajmëron analisti Ulgen.
Rasti i Halkbank-ës është një nga çështjet e shumta që janë duke i rënduar marrëdhëniet Turqi-SHBA. Sidoqoftë, gjatë disa muajve të fundit ka pasur përparim në zgjidhjen e disa mosmarrëveshjeve.
Vendndodhja e Turqisë në kufi me Irakun, Iranin dhe Sirinë e bën strategikisht të rëndësishme për Uashingtonin. Ndihmës sekretari amerikan i shtetit Wess Mitchell e përshkroi Turqinë si “një aleate dhe partnere e rëndësishme”.
Të hënën, zoti Erdogan do të shpallë kabinetin e tij të ri, i cili që tani e tutje do t’i raportojë atij drejtpërdrejt, nën presidencën e re ekzekutive të Turqisë
UNDP i dhuron policisë pajisje pune për kontroll në vijën e ...
Anisa-Gjestit: Ti je qeni i Xhenetës
Ismet Bahtijarit i vazhdohet paraburgimi nga Specialja
Dronë të dyshimtë mbi bazat ushtarake amerikane, Britania di...
Vesa Luma shënon 20-vjetorin e karrierës së saj me koncert m...
Gjermani, AfD rekomandon daljen nga BE në programin e saj el...