Google ADS

Turqia kritikohet për ligjin kundër informacioneve të rreme

10:55 | 14 Tetor 2022
Vjollca Gajraku

Ligjvënësit në Turqi kanë miratuar një ligj të ri për mediat, që parasheh dënim prej tre vjetësh burgim për këdo që publikon “informacione të rreme”. Ky legjislacion është kritikuar nga grupet e të drejtave të njeriut, që thonë se kufizon lirinë e shprehjes para se shteti të mbajë zgjedhjet e reja vitin e kaluar.

Ligji, që u miratua mbrëmjen e 13 tetorit, u propozua nga partia në pushtet e presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe aleatët e tij ultra-nacionalistë në Parlament.

Miratimi i këtij legjislacioni erdhi vetëm një ditë pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës kërkoi nga autoritetet në Ankara që të mos e miratojnë të njëjtin.

Sipas ligjit, gazetarët dhe përdoruesit e mediave sociale të cilët postojnë informacione që autoritetet i konsiderojnë të rreme lidhur me “sigurinë e brendshme dhe të jashtme të shtetit, rendit publik apo shëndetit publik”, mund të dënohen deri me tre vjet burgim.

Definicioni i paqartë se çfarë mund të cilësohet “lajm i rremë” rriti shqetësimet e opozitës dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut.

“Sot është një ditë tjetër e errët për lirinë e shprehjes në platforma online dhe për lirinë e shtypit në Turqi”, tha Güney Yildiz, hulumtues në Amnesty International.

“Duke pasur parasysh rritjen e kontrollit ndaj mediave nga Qeveria në këto vitet e fundit, masat e reja u mundësojnë atyre që të censurojnë më tej dhe të heshtin zërat kritikë, para se Turqia të mbajë zgjedhjet e reja, nën pretendimet për luftimin e dezinformimit”, shtoi Yildiz.

Erdogan, i cili i ka quajtur mediat social kërcënim për demokracinë, pritet që të përballet me sfidë të fortë ndaj qeverisjes së tij 20-vjeçare në zgjedhjet e vitit të ardhshëm./rel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme