Google ADS

Turqia ka dëbuar mbi 8 mijë e 500 luftëtarë të dyshuar për terrorizëm

14:43 | 31 Tetor 2021
V. S.

Që nga fillimi i luftës civile siriane 10 vjet më parë Turqia ka dëbuar më shumë se 8.500 luftëtarë të huaj. Njoftimi është dhënë nga Ministria e Brendshme e Turqisë, sipas të cilës të dyshuarit për terrorizëm ishin nga 102 vende, përfshirë 44 nga Shtetet e Bashkuara dhe 1.075 nga shtetet e Bashkimit Evropian (BE), thuhet në një deklaratë të ministrisë turke.

Në dhjetë muajt e parë të vitit 2021 në tetë vende të BE-së janë deportuar 61 të dyshuar. Autoritetet turke thanë se dëbimi i gjithsej 8.585 luftëtarëve u bë si rezultat i përpjekjeve të vendit për të ofruar siguri brenda dhe jashtë kufirit që nga viti 2011.

Këta persona ishin larguar nga vendet e tyre për t’iu bashkuar grupeve militante si Shteti Islamik dhe Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), si dhe dega e saj në Siri, raporton A2news.

Që nga viti 2016, Turqia ka ndërmarrë tre operacione ushtarake në veri të Sirisë dhe ka një prani të forcave të saj në provincën veriperëndimore të Idlibit, si dhe zona të tjera brenda kufirit sirian.

Ndërsa aktualisht forcat turke po kryejnë operacione kundër PKK-së në Irakun verior.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme