Google ADS

Turqia i bën thirrje BE-së të heqë sanksionet për Sirinë përpara konferencës së ndihmës në Bruksel

19:07 | 16 Mars 2025
E.H

Turqia i bëri thirrje Bashkimit Evropian të dielën që të heqë pa kushte sanksionet ndaj Sirisë, përpara një konference ndërkombëtare të ndihmës në Bruksel, në të cilën janë ftuar autoritetet e reja të vendit të shkatërruar nga lufta.

Ankaraja, aleate me sundimtarët e rinj të Sirisë që rrëzuan presidentin Bashar al-Assad dhe morën pushtetin në dhjetor, e sheh një hap të tillë si të nevojshëm për një “tranzicion paqësor” në vend, tha Ministria e Jashtme e Turqisë në një deklaratë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Bashkimi Evropian do të presë të hënën konferencën e nëntë ndërkombëtare në mbështetje të Sirisë.

Për herë të parë, përfaqësues të qeverisë së Sirisë – autoritetet e reja të përkohshme – janë ftuar të marrin pjesë.

Ngjarja synon të rrisë mbështetjen ndërkombëtare për tranzicionin dhe rimëkëmbjen e Sirisë pas më shumë se 13 vitesh luftë civile.

Blloku evropian më 24 shkurt njoftoi tashmë një lehtësim të sanksioneve ndaj sektorëve të energjisë, transportit dhe bankar të Sirisë për të lehtësuar disa nga sfidat me të cilat përballet presidenti sirian Ahmed al-Sharaa.

“Siguria ekonomike e Sirisë është thelbësore për stabilitetin dhe sigurinë e vendit”, tha ministria turke, duke shtuar se “duhet të krijohen mundësi ekonomike dhe vende pune”.

“Sanksionet duhet të hiqen pa kushte dhe për një periudhë të pacaktuar”.

Turqia, e cila strehon gati tre milionë refugjatë sirianë, kërkoi gjithashtu rindërtimin e Sirisë “për të inkurajuar kthimet”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme

Foto lajm