“Turqia është vend që nuk i ka asnjë cent borxh FMN-së”

08:44 | 17 Gusht 2018
Arbresh.info

Akademikë dhe ekspertë nga Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova për AA vlerësuan krizën që ndodhi në periudhën e fundit mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuar të Amerikës (SHBA) dhe reflektimin e saj në ekonomi.

Akademikët dhe ekspertët nga Ballkani vlerësojnë se Turqia ka një model ekonomik të qëndrueshëm pavarësisht presioneve të mëdha kohëve të fundit.

Akademikë dhe ekspertë nga Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova për Anadolu Agency (AA) vlerësuan krizën që ndodhi në periudhën e fundit mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuar të Amerikës (SHBA) dhe reflektimin e saj në ekonomi.

“Turqia ka një model ekonomik të qëndrueshëm”

Eksperti i ekonomisë në Shqipëri, Bardhi Sejdarasi, thekson se Turqia do të gjejë rrugët dhe mundësitë që të tejkalojë luhatjet e fundit nëpërmjet stabilitetit financiar dhe stabilitetit të monedhës vendase.

“Lajmet e fundit që vijnë nga zhvillimet social-ekonomike në Turqi tregojnë që ka pasur një stabilizim veçanërisht të monedhës vendase, që do të thotë që ekonomia fillon të lëvizë pozitivisht. Pavarësisht nga presionet e mëdha që ka pasur për shkak të disa transaksioneve që janë kryer nga shtete të ndryshme, përfshirë dhe SHBA-në, duket që momenti i tanishëm është momenti i ngritjes. Është ky moment sepse vlerësoj masat që janë duke marrë veçanërisht Banka Qendrore e Turqisë apo Ministria e Financave, që do të sjellin stabilizimin së pari të monedhës vendase në raport me transaksionet apo kushtet e këmbimit me monedhat e huaja, përfshirë dollarin amerikan, dhe pastaj vendosjen e një ekuilibri të qëndrueshëm monetar dhe fiskal”, thekson Sejdarasi.

Turqia është një shtet i fuqishëm edhe ekonomikisht i cili ka pasur ritmet e rritjes ekonomike nga më të lartat në Evropë, shprehet ai, duke theksuar se janë nivele jashtëzakonisht të kënaqshme të rritjes ekonomike dhe të të hyrave fiskale.

“Reformat e ndërmarra në këtë vend jo vetëm që kanë krijuar një qëndrueshmëri makro-ekonomike, por kanë rritur në nivele të konsiderueshme investimet vendase dhe të huaja. Është një model ekonomik i qëndrueshëm i cili që ka sjellë këta tregues, sepse pa një model ekonomik të tillë nuk mund të kishte tregues të rritjes ekonomike apo të mirëqenies të të gjithë qytetarëve të Turqisë”, thotë Sejdarasi.

“Ekonomia turke është një nga ekonomitë më të fuqishme jo vetëm historikisht, por edhe për shkak të menaxhimit të mirë që i është bërë në dekadën e fundit. Çdo luhatje që vjen nga një nga ekonomitë e rajonit, veçanërisht nga Turqia që ka një ekonomi të qëndrueshme, ka ndikimet e veta në tregun rajonal, evropian dhe më gjerë. Sa më stabël të jenë ekonomitë në Evropë, aq më e qëndrueshme është Evropa në tërësi. Sa më të larta të jenë ritmet e rritjes ekonomike në Turqi apo në një shtet të Bashkimit Evropian, aq më të larta do të jenë ritmet ekonomike të BE-së në tërësi”, shprehet eksperti Sejdarasi.

Ai shtoi se “Jam besimplotë që do të jetë shumë e shkurtër situata e krijuar, me masat që janë marrë, me stabilizimin që ka lira në vend, por veçanërisht edhe me politikat ekonomike dhe fiskale që ndërmerr Qeveria e Turqisë për eliminimin e pasojave”.

“Turqia është vend që nuk i ka asnjë cent borxh FMN-së”

Akademiku Prof. Dr. Nagib Skenderi nga Fakullteti i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, duke theksuar se rënia në lirën turke ka shkaktuar pesimizëm, thotë se “Turqia është vend që nuk i ka asnjë cent borxh FMN-së”.

“Turqia gjendet në mesin 20 ekonomive më të zhvilluara të botës me rritje prej 5 deri më 8 për qind në vit. Prandaj nuk është lehtë të rrëzohet kjo”, vlerëson ai.

Ai theksoi se SHBA me sanksionet e zbatuara ka dëshiruar që të hakmerret nga Turqia dhe presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan.

“SHBA këtë e bën për shkak se disa qytetarë të saj janë arrestuar. Me ardhjen e Donald Trump-it në detyrë janë vështirësuar kushtet për tërheqjen e kredisë nga bankat amerikane të shteteve të zhvilluara industrialisht si Turqia”, u shpreh ai.

Turqia dhe shumë shtete të tjera synojnë të hapin rrugën e investimeve të reja me kredi të marra nga SHBA, thotë Skenderi, duke shtuar: “Tani nuk mund t’i realizojnë këto synime dhe për këtë shkak ka luhatje mes dollarit dhe lirës turke. E njëjta pritet edhe në tregun financiar global mes euros dhe lirës turke”.

“Acarimi ekonomik mes Turqisë dhe SHBA-së mund të ketë rezultate të pakthyeshme në afat të gjatë”, vazhdon më tej Skenderi, duke tërhequr vëmendjen se Turqia mund t’i përballojë krizës me SHBA-në falë ekonomisë së fuqishme që e ka.

Skenderi, duke rikujtuar artikullin e presidentit Erdoğan për The New York Time, thotë se “Turqia, do të kthehet kah Kina, Rusia dhe shtetet e tjera mike”.

Ai thekson se Erdoğan do të duhet të ketë një reflektim në qasjen politike në mënyrë që ekonomia të mos përballet me sanksione. “Nëse një investitor largohet prej një vendi, është shumë vështirë mandej t’i kthehet besimi për t’u rikthyer në atë vend të njëjtë”, thotë Skenderi.

Duhet të merren masa

Tome Nenovski, akademik në Fakulltetin e Ekonomisë në Universitetin Kolegji Amerikan në Shkup, tha se zhvillimet e fundit kanë ndodhur pasi është deklaruar pjesëmarrja e mundshme e Turqisë në BRICS.

“Shtetet anëtare të BRICS, bashkë me Turqinë, do të mund të marrin plotësisht dominimin ekonomik në botë dhe në mënyrë graduale mund të ndryshojnë dollarin amerikan me ndonjë valutë tjetër për pagesat mes tyre. Me këtë mund të zvogëlojnë varësinë që shkakton luhatje në dollar”, thotë Nenovski.

Ai shpreh bindje se “lufta tregtare” mes SHBA-së dhe Turqisë, por edhe ajo mes SHBA-së dhe Rusisë, Kinës dhe Indisë, do të vazhdojë edhe një kohë të caktuar, duke shtuar se tarifa shtesë doganore që SHBA ka sjellë ka reflektuar negativisht në ekonominë turke.

Nenovski thotë se kjo ka shkaktuar zvogëlimin e rezervave valutore të Turqisë dhe humbjen e vlerës së lirës turke.

“Eksporti i çelikut dhe hekurit mund të drejtohet në tregjet e tjera botërore, por kjo nuk mund të ndodhë për shkurt kohë, ose zyrtarët pjesë të rëndësishme të rezervave valutore të Turqisë mund t’i përdorin dhe ta ruajnë vlerën e lirës”, thotë Nenovski, duke vlerësuar se duhet marrë masa për përmirësimin më të shpejtë të gjendjes aktuale ekonomike.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme