Google ADS

“Turqia është e gatshme për operacionin e zonës së sigurt”

11:22 | 8 Tetor 2019
Arbresh Info

“Forcat e Armatosura të Turqisë asnjëherë nuk do të tolerojnë korridorin e terrorit brenda kufijve të shtetit”, thonë nga Ministria e Mbrojtjes e Turqisë

Turqia është e gatshme për operacion të mundshëm ushtarak në lindje të lumit Eufrat në Siri për të krijuar zonën e sigurt, njoftojnë nga Ministria e Mbrojtjes e Turqisë.

“Krijimi i Zonës së Sigurt/Korridorit të Paqes është esenciale për sirianët që të kenë jetë të sigurt duke kontribuuar në stabilitetin dhe paqen në rajonin tonë”, thuhet në llogarinë e Ministrisë së Mbrojtjes në Twitter.

“Forcat e Sigurisë së Turqisë asnjëherë nuk do të tolerojnë krijimin e korridorit të terrorit në kufijtë tanë. Të gjitha përgatitjet për operacionin janë kompletuar”, thuhet në postim.

Presidenti amerikan Donald Trump është përballur me presion në rritje në Washington pasi Shtëpia e Bardhë të dielën njoftoi se do të tërheq forcat e saj nga Siria verilindore para operacionit turk “të planifikuar që moti”.

Administrata e Trumpit ka përjashtuar çdo mbështetje amerikane për misionin.

Turqia që moti ka kërkuar nga SHBA që të jetë partnere në luftën kundër DEASH-it, një grup terrorist që Ankaraja ka punuar për ta çrrënjosur, duke arrestuar dhe dëbuar anëtarët e saj brenda Turqisë.

Që nga viti 2016, operacionet “Mburoja e Eufratit” dhe “Dega e Ullirit” në veriperëndim të Sirisë kanë çliruar rajonin nga terroristët e YPG/PKK-së dhe DEASH-it, duke u mundësuar rreth 400.000 sirianëve që shpëtuan nga dhuna të kthehen në shtëpi në Sirinë perëndimore.

Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë personave, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnje. YPG-ja është dega siriane e organizatës terroriste PKK./AA

Të ngjashme