Google ADS

Turqia dhe Ukraina do të forcojnë partneritetin strategjik

14:00 | 16 Tetor 2020
Arbresh.info

Presidenti i Ukrainës do të zhvillojë në Stamboll një takim me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe në kuadër të vizitës do të nënshkruhen shumë marrëveshje dypalëshe.

Marrëveshja e bashkëpunimit strategjik që do të nënshkruhet në kuadrin e vizitës që do të zhvillojë sot në Turqi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të forcojë edhe më shumë partneritetin strategjik mes dy vendeve.

Zelensky sot do të zhvillojë në Stamboll një takim me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe në kuadër të vizitës do të nënshkruhen shumë marrëveshje dypalëshe, përfshirë edhe për forcimin e bashkëpunimit ushtarak.

Erdoğan ka vizituar homologun e tij për herë të fundit në kuadrin e Këshillit të Nivelit të Lartë Strategjik Ukrainë-Turqi që u mbajt në muajin shkurt në Kiev.

Në krye të temave që do të bisedojnë liderët pritet të jenë sektori i mbrojtjes, marrëveshja e tregtisë së lirë (STA) dhe kriza e Malësisë së Karabakut.

Dronët turq (IHA/SIHA) përbëjnë çështjen më kryesore që tërheq vëmendjen në bashkëpunimin e mbrojtjes mes dy vendeve.

Ukraina vitin e kaluar bleu nga Turqia 6 dronë TB2 (IHA) dhe 3 stacione të kontrollit.

Drejtori i përgjithshëm i kompanisë shtetërore ukrainase për tregtinë e armëve Ukrspetseskport, Vadym Nozdria, kishte njoftuar se janë interesuar për prodhimin e përbashkët në Ukrainë të mjeteve të armatosura ajrore pa pilot (Dron – SIHA) të tipit Bayraktar TB2 të Turqisë dhe se kanë planifikuar blerjen e 48 dronëve SIHA.

Në kuadrin e marrëveshjes së nënshkruar gjatë vizitës së Erdoğan në muajin shkurt në Kiev u njoftua se Turqia do të siguronte për Ukrainën një ndihmë prej 205 milionë lira turke (rreth 25.8 milionë dollarë) në drejtim të nevojave të ushtrisë së Ukrainës.

Në anën tjetër, një delegacion nën kryesimin e zv.kryeministrit dhe përgjegjësit për industrinë strategjike të Ukrainës, Oleh Urusky, vizitoi në muajin gusht Turqinë. Pas vizitës, Urusky deklaroi se në industrinë e mbrojtjes të Turqisë ka shumë gjëra që duhet të merren shembull.

Kompania e avionëve Antonov të Ukrainës dhe prodhimi i përbashkët i avionit AN-178 janë në mesin e çështjeve aktuale mes dy vendeve.

– Me marrëveshjen e tregtisë së lirë, objektivi për tregti me një vëllim 20 miliardë dollarë

Erdoğan dhe Zelensky për vëllimin tregtar i cili në vitin 2019 mes dy vendeve ishte 5 miliardë dollarë vendosën objektivat fillimisht për rritjen në 10 miliardë dhe më pas në 20 miliardë. Në këtë kuadër dy liderët dhanë udhëzimet që të përmbyllen këtë vit bisedimet për marrëveshjen e tregtisë së lirë të cilat vazhdojnë prej vitit 2012.

Bisedimet për marrëveshjen e tregtisë së lirë mes Ukrainës dhe Turqisë rimorën vrull sërish muajin e kaluar me pjesëmarrjen e zv.ministrit të Ekonomisë së Ukrainës, Taras Kachka.

Ndërkohë edhe turizmi është një tjetër çështje e rëndësishme mes dy vendeve. Në vitin 2019 Turqinë e vizituan 1,5 milionë turistë nga Ukraina e cila është një prej vendeve të para që Turqia filloi fluturimet jashtë vendit pas karantinës.

Pavarësisht se këtë vit kjo shifër ka rënë për shkak të pandemisë, Ukraina vazhdon të jetë një prej vendeve që dërgon më shumë turistë në Turqi.

Në anën tjetër në mesin e çështjeve për diskutim është e mundshme që të jetë edhe kriza në Malësinë e Karabakut. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka theksuar se mbështesin integritetin dhe sovranitetin territorial të Azerbajxhanit.

Në takim pritet të diskutohet edhe çështja e strukturimit të organizatës terroriste FETO e cila dihet se vazhdon ende praninë e saj në Ukrainë./AA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme