Google ADS

Turqia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në patrullim të përbashkët në Manbixh

13:23 | 22 Tetor 2018
Arbresh.info

Trupat amerikane dhe ato turke pritet të nisin patrullime të përbashkëta ushtarake rreth qytetit sirian, Manbixh, ka njoftuar komandanti i Pentagonit për Lindje të Mesme, Joseph Votel.

Gjenerali ushtarak, Votel, u ka thënë gazetarëve se patrullimet do të fillojnë pasi të përfundojë trajnimi për këtë mision.

Sipas tij, një gjë e tillë pritet të zgjasë “disa ditë më shumë “.

Manbixhi kontrollohet nga aleanca e dominuar prej milicisë kurde dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara, por nga Ankaraja konsiderohet “terroriste”.

Turqia në të kaluarën ka kërcënuar se do të largojë kurdët nga kjo zonë, të cilët kanë qenë luftëtarë tejet të rëndësishëm në mposhtjen e militantëve të grupit ekstremit, Shteti Islamik më 2016.

Këto patrullime janë pjesë e një pakti në mes të Uashingtoni dhe Ankarasë më qëllim të uljes së tensioneve në rajon, përkatësisht afër kufirit me Turqinë.

Trupat amerikane dhe ato turke kanë kryer më herët patrullime të ndara në rajonin kufitar.

“Ne jemi aty ku kemi pasur synim”, ka thënë Votel.

“Ne kemi kaluar nëpër një program të qëlluar trajnimi dhe ka pasur pajtueshmëri reciproke”, ka deklaruar gjenerali amerikan.

Megjithatë, ai nuk ka specifikuar numrin e patrullimeve apo armët që mund të përdoren.

Turqia dhe Shtetet e Bashkuara mbështesin anë të ndryshme në luftën civile shtatëvjeçare në Siri, derisa Rusia dhe Irani përkrahin presidentin sirian, Bashar al-Assad.

Grupi militant, Shteti Islamik dhe disa grupe tjera kanë qenë po ashtu të përfshira në konflikt, mirëpo shumica prej tyre janë larguar nga territoret që kanë zotëruar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme