Ministri i Punëve të Jashtme i Turqise , Mevlüt Çavuşoğlu, ka deklaruar se vendi i tij dhe Serbia po ndërmarrin hapa konkrete për të zgjeruar vëllimin e tregtisë dypalëshe nderi në vitin 2022 në 5 miliardë dollarë, raporton Anadolu Agency (AA).
Çavuşoğlu këtë e tha në konferencë e përbashkët për media në Beograd pas takimit me homologun e tij serb, Nikola Selakoviq.
“Marrëdhëniet tona ekonomike dhe tregtare po përparojnë me shpejtësi. Qëllimi i përbashkët i vendosur nga presidentët tanë është i qartë. Qëllimi është të rrisim vëllimin tonë tregtar në 5 miliardë dollarë. Ne po bëjmë hapa të vendosur drejt këtij qëllimi”, tha Çavuşoğlu.
Çavuşoğlu njoftoi se në vitin 2021 vëllimi tregtar midis dy vendeve arriti në pothuajse 2 miliardë dollarë dhe theksoi se në tremujorin e parë të vitit 2022 është regjistruar një rritje prej 31 për qind.
Shefi i diplomacisë turke tha se investimet e njerëzve të biznesit turq në Serbi në 10 vjet u rritën nga 1 milion dollarë në 300 milionë dollarë.
Ai po ashtu tha se gjatë takimit është biseduar edhe për bashkëpunimin në fushën e energjisë dhe turizmit.
“Numri i turistëve reciprokë po rritet. Presim që numri i turistëve serb që do të vizitojnë vendin tonë këtë vit të kalojë 300 mijë”, tha Çavuşoğlu, duke shprehur shpresë që kjo shifër të rritet edhe më tej me zbatimin e heqjes së vizave për qytetarët e të dy vendeve.
Sipas ministrit turk, njerëzit e dy vendeve do të mund të hyjnë në vendet e njëri-tjetrit duke përdorur vetëm kartat e tyre të identitetit. Ai tha se së shpejti do të nënshkruhet një marrëveshje nga ministrat e brendshëm të të dy vendeve.
Serbia do të jetë vendi i gjashtë ku qytetarët turq do të mund të udhëtojnë me kartat e tyre të identitetit, duke iu bashkuar Qipros Veriore, Moldavisë, Ukrainës, Azerbajxhanit dhe Gjeorgjisë.
Çavuşoğlu kujtoi se Türkiye në vitin 2021 hapi një konsullatë të përgjithshme në Novi Pazar, duke u bërë vendi i parë që inauguroi një konsullatë atje.
“Rrjeti ynë i shërbimeve konsullore në Serbi po zgjerohet. Vitin e kaluar, me mikun tim Nikola hapëm konsullatën tonë të përgjithshme në Novi Pazar. Këtë vit, ne vazhdojmë të punojmë për të hapur një zyrë konsullore në qytetin Nish për të ndihmuar turqit që jetojnë në Evropë të marrin shërbime nëse kanë nevojë”, tha Çavuşoğlu.
Më herët, Türkiye dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje për të luftuar trafikimin e paligjshëm të trashëgimisë kulturore, me qëllim për të parandaluar kontrabandën e thesareve kulturore. Me këtë marrëveshje, tha Çavuşoğlu, Türkiye dhe Serbia kanë forcuar më tej bazën kontraktore të bashkëpunimit të tyre.
– Selakoviq: Marrëdhëniet midis Serbisë dhe Türkiye-s janë në një kulm historik
Selakoviq, nga ana e tij, tha se marrëdhëniet midis Serbisë dhe Türkiye-s janë në një kulm historik.
“Ne jemi shumë të kënaqur me trendin rritës të këtyre marrëdhënieve dhe mund të themi se në 142 vitet e mëparshme të marrëdhënieve tona diplomatike, ato tani janë në kulmin e tyre historik”, u shpreh Selakoviq.
Ai theksoi se gjatë bisedimeve me homologun e tij turk janë shkëmbyer mendime për situatën në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
“Për ne, çdo zgjidhje që arrihet përmes dialogut është e pranueshme, me respekt për të tre popujt përbërës dhe të dy entitetet e Bosnjë e Hercegovinës”, tha Selakoviq.
Pas takimit, Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë u evakuua për shkak të një alarmi të rremë për bombë të vendosur në godinë.
Që nga fillimi i luftës së Rusisë në Ukrainë më 24 shkurt, kërcënime të shumta me bomba janë raportuar në Serbi, me ato të parat që synonin avionët nga Beogradi në Moskë dhe aeroportet.
Gjatë dy muajve të fundit, qendra tregtare dhe objekte të tjera publike po ashtu kanë marrë kërcënime me bomba.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka pretenduar se kërcënimet janë vepër e shërbimeve të huaja të inteligjencës së Ukrainës dhe e një vendi të paidentifikuar të Bashkimit Evropian (BE).
Shkon në 94 numri i të vdekurve nga cikloni në Mozambik
Ancelotti: Jemi rikthyer, pas humbjes ndaj Milanit, folëm dh...
Kurti e Nagavci lansojnë nesër pilotimin e Programit të Kupo...
Policia e Kosovës sekuestron armë të ftohta në tregun e auto...
Abdixhiku sjellë Pallatin e Ri Sportiv, Pishinën Olimpike dh...
Shuhet kureshtja, Diana dhe Arioni më të lumtur se kurrë pra...