Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha se me homologun e tij iranian, Ebrahim Raidis, janë pajtuar për nevojën e shmangies së hapave që do të mund të kërcënonin edhe më shumë stabilitetin në Lindjen e Mesme.
Takimi i Erdoganit dhe Raisit u zhvillua tri muaj pas nisjes së luftës midis Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Gazë.
Turqia, që mbështet zgjidhjen me dy shtete për konfliktin e gjatë izraelito-palestinez, ka kritikuar ashpër Izraelin për ofensivën e tij në Gazë, ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe ka mbështetur hapa ligjorë që Izraeli të ndiqet penalisht për gjenocid.
Për dallim nga aleatët e tij perëndimorë dhe disa shtete arabe, Turqia – që është anëtare e NATO-s – nuk e konsideron Hamasin grup terrorist. Ky grup radikal palestinez kreu sulme në jug të Izraelit më 7 tetor, gjë që nxiti kundërpërgjigjen ushtarake të Izraelit në Gazë.
Irani udhëheq të ashtuquajturin “Bosht të rezistencës”, një koalicion ku bëjnë pjesë Hamasi dhe grupe të tjera të armatosura myslimane shiite në rajon, grupe që janë përleshur me Izraelin dhe aleatët e tij perëndimorë. Teherani po ashtu ka shprehur mbështetje për Hamasin.
Duke folur në konferencën për media pas takimit me Raisin në Ankara, Erdogani tha se dy udhëheqësit kanë diskutuar për dhënien fund të sulmeve “jonjerëzore” të Izraelit në Gazë dhe për nevojën e ndërmarrjes së hapave drejt një paqeje të drejtë dhe afatgjatë në rajon.
“Ne u pajtuam për rëndësinë e frenimit nga hapat që do të mund të kërcënonin edhe më shumë sigurinë dhe stabilitetin e rajonit”, tha ai, duke shtuar se dy shtetet po ashtu janë pajuar që të vazhdojnë bashkëpunimin ndaj kërcënimeve ndërkufitare të militantëve.
Pavarësisht kritikave të ashpra, Ankaraja mban lidhje tregtare me Izraelin, duke nxitur kritika brenda shtetit, por edhe në Iran.
Raisi e akuzoi SHBA-në se po mbështet ato që i cilësoi si krime të Izraelit kundër palestinezëve në Gazë dhe përsëriti thirrjen e Teheranit për shtetet myslimane që të ndërpresin raportet ekonomike dhe politike me Izraelin.
“Ajo çfarë po ndodh në Palestinë dhe Gazë është krim kundër njerëzimit… dhe SHBA-ja e Perëndimi po mbështesin këto krime. Ndërprerja e raporteve ekonomike dhe politike me këtë regjim sigurisht që do të kishte ndikim te regjimi Zionist [referencë për shtetin e Izraelit] që t’i japë fund këtyre krimeve”.
Turqia dhe Irani kanë raporte të ndërlikuara dhe nuk pajtohen për shumë çështje, kryesisht për luftën civile në Siri.
Atje, Ankaraja ka mbështetur rebelët që synojnë të largojnë nga pushteti presidentin Bashar al-Assad dhe ka kryer disa inkursione në veri të Sirisë kundër militantëve, ndërkaq Teherani mbështet Qeverinë siriane të Assadit. Turqia së fundi ka ndërmarrë hapa për të përmirësuar raportet me Damaskun.
Vizita e Raisit në Turqi ishte shtyrë dy herë, pasi ai fillimisht ishte paraparë që ai të qëndronte në Ankara në nëntor të vitit 2023./rel
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...
Bedri Hamza shkon në Zubin Potok, dënon aktin nga vendi i ng...
Sveçla: Grupet terroriste sponsorizohen nga Serbia