Google ADS

Turqia dhe Azerbajxhani nisin ushtrimin ushtarak “Vëllazëria e Patundur”

09:00 | 6 Tetor 2021
V. S.

Turqia dhe Azerbajxhani kanë nisur ushtrime të përbashkëta ushtarake në kohën kur të dyja vendet po synojnë që t’i zgjerojnë lidhjet në fushën e mbrojtjes pas luftës së vitit të kaluar me forcat armene për Nagorno-Karabakun.

Ushtrimet e emërtuara “Vëllazëria e Patundur” nisën më 5 tetor dhe do të zgjasin deri më 8 tetor dhe po mbahen në kohën e rritjes së tensioneve mes Azerbajxhanit dhe Iranit. Teherani gjithashtu ka nisur ushtrime ushtarake ditëve të fundit afër kufirit me Azerbajxhanin.

Azerbajxhani dhe Irani kanë pasur tensione të vjetra për shkak të përkrahjes së Armenisë nga Teherani, por raportet zakonisht miqësore filluan që të përkeqësohen pas ushtrimeve të përbashkëta të trupave turke, azere e pakistaneze muajin e kaluar.

Ministria e Mbrojtjes e Turqisë tha se ushtrimet, që po mbahen në enklavën azere, Naxcivan, që shtrihet mes Turqisë, Armenisë e Iranit, përfshijnë aeroplanë, dronë, trupa komando dhe makineri të ndryshme, shkruan Free Europe.

“Qëllimi i ushtrimeve është që të zhvillohen miqësia, bashkëpunimi dhe koordinimi mes forcave tokësore turke dhe azere dhe të shkëmbehen njohuritë e përvoja për ta përmirësuar ndërveprimin”, tha Ministria e Mbrojtjes e Turqisë./express/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme