Google ADS

Turqia dërgon qeliza burimore në Itali, për të shpëtuar jetën vogëlusheje

13:00 | 9 Prill 2020
Arbresh Info

Pëkundër hapësirës ajrore të mbyllur, qelizat burimore nga një donator turk u dërguan në Itali me avion, për t’u përdorur për trajtimin e një vogëlusheje 2-vjeçare italiane

Përkundër vendimit për mbylljen e hapësirës ajrore turke për shkak të përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19), hapësira ajrore u hap për një avion italian, me qëllim të shpëtimit të jetës së një fëmije 2-vjeçar italian.

Më 14 mars, dr. Massimo Cardillo, kreu i Qendrës Kombëtare të Transplantit të Italisë, dërgoi një e-mail ku kërkonte nga autoritetet turke ndihmë për shërimin e fëmijës, njoftojnë autoritetet shëndetësore turke.

Duke iu referuar e-mailit, burimet që kërkojnë të mbesin anonime për shkak të kufizimeve për prononcim për mediat, thonë se ai përmbante informata sipas të cilave, pas një kontrolli gjithëpërfshirës të bankës së donatorëve ndërkombëtarë, donatori që përputhej për vogëlushën në pritje të një transplanti të qelizave burimore u gjet në Turqi.

Edhe pse në atë moment Turqia kishte mbyllur hapësirën e saj ajrore për shkak të kërcënimit nga COVID-19, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë bënë një përjashtim të veçantë në rastin e shpëtimit të jetës së fëmijës.

Donatori që përputhej u gjet dhe u sigurua nga qendra turke e koordinimit për qelizat burimore.

Më 31 mars, një avion u nis nga Roma dhe iu lejua që të aterojë në Aeroportin e Stambollit.

Qelizat burimore më pas iu dorëzuan ekipit italian nga mjekët turq në një hapësirë të izoluar në aeroport.

Ekipi italian i dërgoi qelizat në Romë pa ndonjë incident dhe ia dorëzoi ato spitalit për t’ia transplantuar fëmijës.

Nicoletta Sacchi, drejtori i regjistrit italian të donatorëve të palcës së eshtrave, tha se kurrë nuk do ta harrojnë ndihmën e Turqisë gjatë kësaj periudhe të vështirë.

“Shpreh falënderimet për donatorin, heroin kryesor të ngjarjes. Ne jemi mirënjohës si për Turqinë ashtu edhe për donatorin”, tha ai.

Shumë shtete, përfshirë edhe Turqinë, kanë mbyllur hapësirat e tyre ajrore për fluturimet ndërkombëtare dhe vendore për shkak të pandemisë së koronavirusit, i cili ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra mijëra njerëzve në mbarë botën./AA

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme