Google ADS

Turqia akuzon futbollistin izraelit për nxitje urrejtje për shfaqjen e solidaritetit me pengjet në Gazë

23:22 | 15 Janar 2024
D.H

Autoritetet turke ngritën akuza të hënën ndaj futbollistit izraelit Sagiv Jehezkel për nxitje të urrejtjes pasi ai shprehu solidaritetin me pengjet e marra nga militantët e Hamasit, gjatë një ndeshjeje futbolli. Futbollisti është liruar nga paraburgimi në pritje të gjykimit.

Lojtari i ekipit “Antalyaspor” u ndalua të dielën vonë pasi vendosi një fashë në kyçin e dorës ku ishte shkruar pranë yllit të Davidit “100 ditë 7/10”, në lidhje me 100 ditët nga 7 tetori i vitit të kaluar kur terroristët e Hamasit sulmuan Izraelin duke vrarë mijëra njerëz dhe marrë peng 240 të tjerë. 28-vjeçari izraelit i tha policisë se ai thjesht po bënte thirrje për t’i dhënë fund luftës.

Ministri i Drejtësisë, Yilmaz Tunc, tha të dielën vonë se izraeliti Jehezkel ishte nën hetim për “nxitje të hapur të publikut për urrejtje dhe armiqësi”.

Ministri turk tha përmes një deklarate të postuar në rrjetin X se futbollisti Jehezkel ishte përfshirë në “një gjest të shëmtuar në mbështetje të masakrës izraelite në Gaza”. Turqia dhe opinion publik në atë vend e kundërshtojnë ashpër ndërhyrjen ushtarake të Izraelit në Gaza.

Klubi sportiv “Antalyaspor” e pezulloi futbollistin Jehezkelin nga ekipi dhe njoftoi se po fliste me avokatët e klubit mbi mundësinë e ndërprerjes së kontratës së tij.

Futbollisti pritet të kthehet në Izrael më vonë gjatë ditës me një avion privat së bashku me anëtarët e familjes së tij, njoftoi televizioni privat NTV.

Gjatë marrjes në pyetje në polici, futbollisti i mohoi akuzat se ishte përfshirë në një akt provokues, raportoi agjencia private e lajmeve DHA.

“Unë nuk jam pro luftës”, citohet t’i ketë ai policisë, sipas rrjetit DHA.

“Dua që ky proces 100-ditor të përfundojë. Unë dua që lufta të përfundojë”.

Federata Turke e Futbollit e dënoi veprimin e tij, duke thënë se ishte një gjest që “turbulloi ndërgjegjen” e publikut turk.

Ndërkohë, ndalimi i futbollistit shkaktoi zemërimin e Izraelit. Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe grupeve sportive që të ndërmarrin hapa kundër përdorimit për përfitime politike të dhunës dhe kërcënimet ndaj atletëve nga ana e Turqisë./voa

Të ngjashme