Kryebashkiaku i Stambollit Ekrem Imamoglu kryeson përballë kandidatit të partisë AKP të Presidentit Tajip Erdogan në zgjedhjet lokale të së dielës, sipas rezultateve paraprake.
Fitorja e tij do të ishte e rëndësishme për opozitën turke ndërsa ajo përpiqet të konsolidojë pozitën në relievin politik të vendit.
Në një goditje tjetër ndaj presidentit Erdoganit, në kryeqytetin Ankara, qyteti i dytë më i madh të vendit, kryebashkiaku aktual i opozitës Mansur Yavas shpalli fitoren ndaj kundërshtarit të tij të AKP-së, më pak se tre orë pasi u mbyllën qendrat e votimit në zgjedhjet lokale mbarëkombëtare.
Këto zgjedhje po shihen nga analistët si një barometër i mbështetjes për zotin Erdogan dhe kapitalit politik të opozitës.
Presidenti Erdogan, i cili ka udhëhequr Turqinë për më shumë se dy dekada, bëri fushatë intensive që partia e tij të rimerrte kontrollin e Stambollit nga rivali i tij Imamoglu, i cili mund të jetë rivali i tij në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Dhuna shpërtheu në disa qytete në Turqinë lindore lidhur me zgjedhjen e zyrtarëve të organeve lokale, për të cilët votohej përkrah kryetarëve të bashkive. Sipas njoftimeve, tre persona janë vrarë.
Sipas rezultateve zyrtare të bazuara në numërimin e fletëvotimeve të 41.43% të kutive të votimit që janë hapur, zoti Imamoglu kishte 50% mbështetje krahasuar me 41.26% për rivalin e tij nga AKP-ja, Murat Kurum, një ish-ministër në qeverinë e zotit Erdogani.
“Bazuar në të dhënat që kemi mbledhur, mund të them se është konfirmuar mbështetja dhe besimi që kanë qytetarët tanë ndaj nesh”, tha zoti Imamoglu.
Agjencia shtetërore Anadolu publikoi gjithashtu rezultate zyrtare paraprake që tregojnë se forca kryesore e opozitës, Partia Popullore Republikane (CHP) kryeson në qytete të mëdha si Izmiri, Bursa, Antalia dhe Adana.
Zoti Imamoglu i CHP-së i dha presidentit Erdogan dhe AKP-së goditjen më të madhe elektorale gjatë dy dekadave të tij në pushtet, pasi fitoi në zgjedhjet lokale të vitit 2019.
Presidenti u kundërpërgjigj në vitin 2023 duke siguruar rizgjedhjen dhe një shumicë parlamentare me aleatët e tij nacionalistë. Sipas rezultateve të pjesshme, CHP kryeson në mbarë vendin me pothuajse 39% të votave./voa/
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...